Mbetën gjallë nga aksidenti tragjik, dy vajzat nuk e dinë që kanë humbur shoqet

Aksidentet me pasojë vdekjen, kanë tronditur në javën që lamë pas shumë familje që humbën fëmijët e tyre në rrugët e Shqipërisë.

Në një prej tyre, dy vajza të reja humbën jetën ndërsa dy të tjera mbetën të plagosura rëndë.

Fatmirësisht Denisa Dibra dhe Nervida Garunja tashmë e kanë kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhen në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Por ngjarja tragjike e 13 shtatorit mbrëma ku humbën jetën Lusinda Garunja dhe Xheneta Qallia është fshirë nga kujtesa e tyre. Ato nuk mbajnë mend asgjë nga aksidenti tragjik, ndërsa nuk kanë dijeni se motra e njërës prej tyre Lusinda dhe shoqja e tyre Xheneta Qallia kanë ndërruar jetë.

Mjekët kanë rekomanduar që të pritet deri në stabilizimin e plotë të gjendjes së tyre, dhe më pas lajmi i trishtë do i komunikohet atyre edhe me praninë e një psikologu.

Katër vajzat po udhëtonin në tunelin e Elbasanit kur në dalje të tij u goditën nga pas nga një makinë tip “Benz” që drejtohej nga Behar Pema. Ky i fundit rezultoi i dehur në testin e alkoolit dhe u arrestua nga uniformat blu.

Ato po shkonin të festonin 19-vjetorin e lindjes së Lusinda Garunjës e cila fatkeqësisht ndërroi jetë në ditën e saj të lindjes.


Shtuar 16.09.2020 10:39