Leuenberger: Jam “në mes dy zjarresh”
Me rastin e vizitës, disa javë më parë në Kosovë të delegacionit të Parlamentit të Zvicrës albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me mikun e shqiptarëve, parlamentarin zviceran nga partia e të Gjelbërve, Ueli Leuenberger. Biseda qe fokusuar në problemet që preokupojnë komunitetin kosovar në Zvicër dhe në lidhjet mes dy vendeve.

Po kështu, në mbrëmjen kur Leuenbergerit iu nda çmimi “Diaspora”, më 29 prill, shfrytëzuam rastin që atij t`ia shtrojmë disa pyetje. Ato lidhen me atë se si e ka përjetuar ai këtë çmim, pastaj me punën e tij 35 vjeçare me shqiptarët, me frytet e kësaj pune që ai i sheh sot, etj.

Albinfo.ch: Z. Leuenberger, në fillim të prillit në Kosovë erdhi për vizitë kryetarja e Parlamentit Zviceran bashkë me një grup parlamentarësh, ku bënit pjesë edhe Ju. Cili ishte qëllimi i vizitës?

Ueli Leuenberger : Delegacioni ishte i kryesuar nga kryetarja e parlamentit zviceran, Maya Graf. Ajo përzgjodhi Kosovën dhe Shqipërinë sepse ishte shumë e shqetësuar nga gjendja e refugjatëve kosovarë në vitet e 90-ta, kur kishte punuar si punëtore sociale në këtë fushë.

Albinfo.ch: Si e vlerësoi zonja Graf takimin me parlamentarët kosovarë?

Leuenberger: Takimi i 2 prillit ishte shumë interesant. Ishte një takim i sforcuar dypalësh që synonte zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës. Sidoqoftë pala e Kosovës e ka adresuar në mënyrë të qartë çështjen e marrëveshjes për sigurimet sociale. Ne, sa i takon kësaj marrëveshjeje, kemi probleme nga ana e Zvicrës dhe nga pala kosovare. Nga ana e Zvicrës mendoj se edhe sot e kësaj dite është e papranueshme ndërprerja e pensioneve; kjo prek familjet, njerëzit këtu në Kosovë, që absolutisht kanë nevojë për të holla për të jetuar, shpesh për të mbijetuar.

Albinfo.ch: A mund të nënkuptohet që qeveria e Kosovës nuk po arrin ta kuptojë sa duhet vullnetin e diasporës për ta ndihmuar vendin?

Leuenberger: Mendoj që pala kosovare, përkatësisht parlamentarët duhet të ushtrojnë më shumë presion mbi qeverinë. Kjo është një mosnjohje e diasporës; gjithë ky angazhim i familjeve që gjatë gjithë këtyre viteve kanë dërguar kaq shumë para në Kosovë, sidomos në vitet e 90-ta kur familjet duhej të mbijetonin nga 3%-shi (Trepërqindëshi). Diaspora shumë e ka përkrahur edhe luftën e më pastaj ka ndihmuar financiarisht edhe në rindërtimin e vendit. Dhe, të mos ndihmohen këta njerëz pas pensionimit ose mos t’u paguhen shtesat familjare, këtë e shoh si shumë të rrezikshme. Kështu, shpresoj që pala kosovare duhet t’i përmbushë ato dy-tri kushte që kërkohen prej tyre në mënyrë që ne sërish dhe më me ngulm të kërkojmë nga qeveria zvicerane pagesën e pensioneve.

Në këtë moment, qeveria zvicerane thotë se ende nuk janë plotësuar disa kushte, që prekin ligjin e Sigurimit social dhe institucionet relevante, sidomos për faktin se nuk përputhet verifikimi i personave nga regjistri të popullsisë. Pra, ose është e vërtetë ajo që thotë qeveria zvicerane, e atëherë qeveria kosovare duhet ta çojë çështjen përpara, ose nuk është e vërtetë çka thotë Zvicra dhe qeveria e Kosovës duhet të tregojë hapur dhe me zë të lartë se i ka plotësuar kushtet e kërkuara.

Politika e vizave po ashpërsohet gjithandej

Albinfo.ch: Si një mik i vjetër i kosovarëve, si ndiheni në këtë situatë?

Leuenberger: Unë si një politikan zviceran dhe mik i popullit të Kosovës jam mes dy zjarresh, sepse kontrata është ndërprerë. Pra, për të pasur një kontratë të re ka nevojë për një marrëveshje të re në mënyrë që pas kthimit tim në Zvicër të bisedoj me miqtë e mi, me ministrin tim për çështje sociale, mirëpo, këtu në Kosovë, parlamentarët kosovarë duhet të kërkojnë llogari nga ministritë përkatëse.

Albinfo.ch: Një çështje e hapur ende mbetet liberalizimi i vizave. A nuk është e dhembshme për 10% të popullatës së Kosovës në Zvicër?

Leuenberger: Një çështje tjetër që u ngrit në komisionin për politikë të jashtme dhe unë jam plotësisht i pajtimit, ishte çështja e vizave. Është e qartë se Zvicra i ka shtrënguar masat, jo vetëm ndaj Kosovës, por përgjithësisht. Një nga dhjetë banorët e Kosovës jeton në Zvicër, çdo i 40-ti banorë i Zvicrës është shqiptar nga Kosova. Është e qartë se marrëdhëniet familjare kërkojnë gjithashtu që të lejohen vizat dhe ambasadorja e Zvicrës këtu në Kosovë thotë se lejohen relativisht shumë viza, por kjo çështje po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Albinfo.ch: Cili është qëndrimi Juaj rreth liberalizimit të vizave për Kosovën?

Leuenberger: Unë shpresoj që në këtë situatë të mos ketë më nevojë për viza. Unë nuk kam nevojë për vizë për të ardhur në Kosovë, porse miqtë e mi kanë nevojë për një vizë, mirëpo kjo ka të bëjë edhe me politikën e emigrimit në Zvicër. Veç tjerash, momentalisht, edhe në vende të tjera evropiane ka gjithashtu kufizime, për fat të keq.

Si të hapet tregu i mbyllur i punës për kosovarët në Zvicër?

Albinfo.ch: Aktualisht, tregu i punës për kosovarët në Zvicër është i mbyllur. A mund të thuhet se “është zhdukur çelësi”, apo, megjithatë, kosovarët mund të shpresojnë në tregun e punës?

Leuenberger: Sigurisht që kjo do të ishte gjëja e tretë dhe unë sërish po flas në emrin tim personal. Ajo që po them unë nuk është qëndrimi i delegacionit, por unë gjithashtu dua që tregu i punës për Kosovën të kthehet sërish dhe parësore do të ishte, sigurisht, që të rregullohet çështja e të gjithë atyre që punojnë për shumë vite pa leje pune në Zvicër, pra që kontribuojnë në suksesin e Zvicrës. Kjo do të jetë një shpresë e parë në të cilën thuhet se ata janë këtu dhe se ai që punon mund ta marrë edhe një letërnjoftim e pastaj edhe tregu i punës nuk do të ishte i pakontrolluar. Pra, një kosovar ose kosovare e kualifikuar të mundë të vijë për të punuar në Zvicër. /albeu.com/
Shtuar më 30/04/2013, ora 10:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori