Letra për Thaçin: Krimet serbe nuk u dënuan, mos eja në varre
Zana Bytyqi nga Oragnizata Joqeveritare “Familja dhe Shpresa” nga Klina, u ka dërguar një letër të hapur të gjithë krerëve të shtetit me radhë, duke u kërkuar që të plotësojnë Ligjin për Gjykatën Speciale dhe në të përfshihen edhe krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.

Ajo ka thënë se për gjithë këto vite që nga nëntori i vitit 2016, të gjithë kanë rezistuar që ta bëjnë një gjë të tillë, duke iu kërkuar kështu që të mos vizitojnë më varrezat e atyre që janë masakruar nga pushteti gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit.

Këtë letër drejtuar presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, krye kuvendarit Kadri Veseli, e liderëve të tjerë të opozitës, Zana Bytyqi, e ka dërguar sot me rastin e përkujtimit të të vrarëve në masakrën e Izbicës.

Ajo thotë se këto vizita të politikanëve në varrezat e të rënëve po bëhen vetëm për kamera e popullizëm, derisa në Serbi enden të lirë nën mbrojtjen e Aleksander Vuçiqit të gjithë kriminelët serbë.

“Pikërisht JU, që të gjithë JU, që ishit sot në varrezat në Izbicë dhe të tjerët që nuk ishin, por që kanë fuqi vote në parlament, rregullisht po dukeni edhe nëpër varrezat e tjera anekënd Kosovës dhe po bëni popullizëm të turpshëm dhe qesharak para kamerave televizive me dhembjet tona tash e 20 vjet për vrasjen e më dashurve tanë nga kriminelët e Serbisë, të lirë në Serbi e të mbrojtur nga ministri i Sllobodan Millosheviqit, tash Kryetar i Serbisë Aleksandar Vuçiçi”, thuhet në letër publike.

Letra e plotë:

Letër publike për : Hashim Thaçi, Kryetar i Kosovës, Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, Zv-Kryeministër e Kryetar i Nisma-s Isa Mustafa, Kryetari i LDK-së Albin Kurti, Kryetar i VV-së Shpend Ahmeti, Kryetar i PSD-së Behxhet Pacolli, Zv-Kryeministër e Kryetar i AKR-së

MJAFT me popullizmin të turpshëm tek varrezat, PLOTËSOJENI ligjin për gjykatën speciale – për krimet e Serbisë

Po bëhen afër 3 vite (pikërisht që nga 13 nëntori 2016) që ne ( Shoqata ‘Familja dhe Shpresa’ ) prej se filluam t’ju drejtohemi juve dhe krejt deputetëve të Kosovës me kërkesa publike që të plotësoni ligjin e vitit 2015 për Gjykatën Speciale për të gjykuar krimet e Serbisë dhe megjithatë JU, që të gjithë JU, refuzuat që ta plotësoni këtë kërkesë tonën dhe të shoqatave të tjera të ngjashme.

Pikërisht JU, që të gjithë JU, që ishit sot në varrezat në Izbicë dhe të tjerët që nuk ishin, por që kanë fuqi vote në parlament, rregullisht po dukeni edhe nëpër varrezat e tjera anekënd Kosovës dhe po bëni popullizëm të turpshëm dhe qesharak para kamerave televizive me dhembjet tona tash e 20 vjet për vrasjen e më dashurve tanë nga kriminelët e Serbisë, të lirë në Serbi e të mbrojtur nga ministri i Sllobodan Millosheviqit, tash Kryetar i Serbisë Aleksandar Vuçiçi.

Pikërisht JU, jeni ata që refuzuat dhe ende po refuzoni që të plotësoni ligjin në fjalë, me të cilin JU, të gjithë JU, e amnistuat Serbinë dhe kriminelët e saj me duart tuaja nga masakrat ndaj 12000 civilëve shqiptarë të Kosovës, më ta dashurve tanë.

Është koha e fundit që t’i jepni FUND këtij turpi dhe ofendimi të përditshëm që JU po iu bëni mbi 12000 civilëve shqiptarë e 20000 grave dhe vajzave të përdhunuara nga kriminelët serbë.

Prandaj, STOP me gënjeshtra . STOP me këtë lojë me ne dhe varret e më të dashurve tanë.

STOP popullizmin tuaj të turpshëm dhe të pafalshëm, e përmirësojeni gabimin dhe ofendimet e gënjeshtrat që JU po i bëni përditë ndaj krejt viktimave shqiptare dhe neve të mbijetuarve, kur në vitin 2015 e miratuat ligjin selektiv dhe të padrejtë për Gjykatën Speciale për Kosovën dhe i injoruat plotësisht krimet e Serbisë ndaj më të dashurve tanë.

Unë Zana Bytyqi, po ju shkruaj në emër të familjarëve të 86 viktimave – vëllezërve, bashkëshortëve e prindërve tanë nga komuna e Klinës – të vrarë e të zhdukur me 4 Prill 1999 në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës – nga ushtria dhe policia e Serbisë.

Të gjithë JU,

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Isa Mustafa, Albin Kurti, Shpend Ahmeti dhe deputetët tuaj në KUVEND, JU jeni pikërisht ata që MUND dhe DUHET që ta plotësoni këtë ligj të mbrapshtë e të obligoni Prokurorin Jack Smith që të ngre akuza ndaj kriminelëve serbë që gjenden në Serbi.

Drejtësia për viktimat e Kralanit dhe ne familjarëve të tyre si dhe për krejt viktimat e tjera të shqiptare nëpër tërë Kosovën është në duart tuaja dhe askujt tjetër dhe ADRESA për këtë drejtësi është gjykata speciale që e themeluat ju vet.

Mjaft më gënjeshtra tuaja të përditshme.

“Drejtësinë” deri më tash e “kërkuat” me fjalime populiste të turpshme e gënjeshtare nëpër media e tubime … e deri tek varrezat e viktimave.

Ky është një mashtrim i turpshëm që po bëni. Kështu bëtë sot edhe tek varrezat në Izbicë. Çfarë maskarade të turpshme po bëni para popullit që të gjithë JU.

Plotësojeni ligjin URGENTISHT. Vetëm atëherë mund ta fitoni të drejtën që të vini tek varrezat e më të dashurve tanë.

Përndryshe, JU deri atëherë, nuk keni të drejtë që të vini e të na mashtroni pranë varreve të më të dashurve tanë as këtë vit e as viteve tjera me radhë, siç keni bërë plot 20 vite me radhë këto 20 vite turpi e popullizmi.

20 vite mashtrim. E që nga 2015 që kur e themeluat gjykatën selektive, u bënë plot katër vite poshtërim nga ana e juaj ndaj nesh dhe më të dashurve tanë.

Zana Bytyqi,

Përfaqësuese, Shoqata-OJQ, ” Familja dhe Shpresa”, Klinë
Shtuar më 28/03/2019, ora 18:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori