Letër publike Fevziut: Shqipëria kërcënohet më shumë nga shqiptarët se nga ISIS
Blendi Fevziu
Letër e hapur drejtuar gazetarit Blendi Fevziut, nga 10 vajza që përjetuan frikë dhe terror në rrugët e Shqipërisë.

Shqipëria rrezikohet më shumë nga shqiptarët se nga ISIS-i

I nderuari, z. Blendi Fevziu,

Edhe të hënën si çdo natë tjetër kur shfaqet emisioni juaj, isha duke pritur të di se cila do të ishte tema e diskutimit. Kur filloi emisioni, vërejta që tema kishte të bënte me rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga ISIS-i.

Me keqardhje më duhet të them se rreziku që i kanoset Shqipërisë jeni vet ju, qytetarët e Shqipërisë.

Më poshtë po përshkruaj ngjarjen e cila na ndodhi me datën 15.11.2015, përkatësisht ditën e diel, në vendin tuaj.

Unë jam një vajzë nga Kosova e cila për nder të një ngjarjeje të rëndësishme në jetën e shoqes sime, së bashku me nëntë shoqe të tjera vendosëm të kalonim vikendin në Shqipëri. Pasi që ditën e shtunë qëndruam në Tiranë, menduam që ta përmbyllnim vikendin në Fishtë, te “Mrrizi i Zanave”, duke rezervuar darkën në orën 18:00 meqë më herët nuk kishte vende të lira. Në kthim, meqë ishim me dy vetura duke pritur njëra-tjetrën në mënyrë që të udhëtojmë së bashku, në dalje të fshatit Fishtë një person me një motoçikletë na u afrua tek dritarja dhe na analizoi për disa sekonda. Meqë ne i bëmë me shenjë që të kalonte apo thënë më mirë largohej, ai u largua për tu kthyer prapë pas tre ose katër minutash.

Pasi që e kaloi veturën tonë la motoçikletën diku në gjelbërim që të mos e shihnim dhe u shfaq pas disa sekondash tek dritarja e veturës, së pari duke i rënë fuqishëm xhamit të veturës e më pas duke tentuar të hapte dyert dhe të futej brenda. Meqenëse dyert tona ishin te bllokuara, ai filloi të gjuante me armë në ajër, ngjitur me veturën tonë, duke na tmerruar.

Për fatin tone të mire, shoqja jonë e cila drejtonte veturën kishte mundësinë të shtypte me shpejtësi gazin e veturës, me sa fuqi që kishte, dhe të largoheshim nga aty duke lënë kështu mbrapa veturën e dytë. Në ato momente secila nga ne filluam të telefononim dikë. Njëra telefonoi Stacionin policor të Lezhës, tjetra lajmëroi veturën tjetër që të vozisnin me sa shpejtësi të madhe dhe të mos ndaleshin në asnjë mënyrë askund, madje as edhe Policisë. Një tjetër telefonoi restorantin “Mrrizi i Zanave” për t’ju treguar ngjarjen që na kishte ndodhur me të dal nga restoranti i tyre. Ndërsa, tjetra filloi të telefononte të afërmit tonë në Prishtinë që të merrnin rrugën për në kufi.

Në anën tjetër, në po të njëjtën kohë grupi tjetër e drejtonin makinën me shpejtësi shumë të madhe, duke tentuar kështu të arrinin të dilnin në rrugën kryesore, pasi që ishin ende në rrugën e errët të fshatit Fishtë. Gjatë kësaj periudhe, ato shohin personin me motoçikletë, i cili iu bënte me drita që të ndalonin veturën. Por, meqë vajzat ishin të njoftuara me rastin nga ana jonë, vazhduan te drejtonin veturën me shpejtësi dhe nuk u ndalën.

Përpos tmerrit psikik të cilin e përjetonim dhe frikësoheshim se personi i cili na tmerroi do të telefononte dikë të na dilte në pritë diku në rrugë (duke marrë parasysh që raste të tilla në Shqipëri ndodhin shumë shpesh jo vetëm tek turistët kosovarë, por kemi edhe rastin e turistëve çekë të cilët u vranë dhe vrasësi i tyre tani u dënua me burg të përjetshëm), ne frikësoheshim të ndaleshim edhe tek Policia rrugore pasi në shumë prej emisioneve tuaja shohim se banditët dhe Policia janë të lidhur shumë ngushtë me njëri-tjetrin.

Kur them këtë, nuk dua t’i përgjithësoj apo t’i fus “në një thes” të gjithë popullin e Shqipërisë. Pa keqkuptime, këtu kemi të bëjmë vetëm me kriminelët dhe banditët të cilët shëtisin lirshëm në vendin tuaj.

Meqë ishim në veturën të cilën e kishin sulmuar, vendosëm të mos ndaleshim askund deri te kufiri i Kosovës. Në ndërkohë, shoqet tona u ndaluan nga Policia e Lezhës për shkak të telefonatës së bërë nga ne duke kërkuar kështu më tepër informacion, gjë që është shumë e logjikshme. Çka nuk më dukej e logjikshme ishte fakti se ata insistonin që ne, vetura e sulmuar, të ktheheshim në Stacionin policor në Lezhë, në të kundërtën shoqet tona nuk do të liroheshin.

Në orën 22:00, me tmerrin te cilin e kishim përjetuar, na dukej shumë jo e logjikshme që ne të ktheheshim përsëri në Lezhë, e më dukej edhe më pak i logjikshëm fakti që shoqet tona mbaheshin peng për shkakun tonë, duke marrë parasysh që ato as nuk e dinin në hollësi tërë ngjarjen (si dukej personi në fjalë, çfarë kishte me vete, si kishte ndodhur ngjarja, në cilin vend saktësisht, e hollësi të tjera).

E kuptojmë plotësisht që janë procedura të Policisë ato, se duhet të merrnin sa më tepër informata, mirëpo të kërkohej nga ne të ktheheshim në Lezhë, nga vendi nga i cili ne u larguam të tmerruara, ishte pak absurde e aq me tepër te mbaheshin peng vajzat te cilat nuk dinin asgjë me tepër se sa fjalët tona: “Na ka sulmu një person me motor, mos u ndalni askund, vozitni sa më shpejtë edhe mundohuni me ardh në kufi sa ma shpejtë se ne ju presim atje”!

E gjitha që ne i luteshim Zotit gjatë atyre minutave të vozitjes, ishte të shihnim një veturë me targa të Kosovës. Meqë isha shumë e shqetësuar, nuk e mbaj mend saktësisht se ku e rastisëm një veturë me targa të tilla, të cilën filluam ta ndiqnin mbrapa. Në një çast ata u ndalën në një pikë karburanti dhe ne menjëherë pas tyre. Kur dolëm nga vetura të tmerruara dhe pothuajse pa frymë, i tronditëm edhe vendasit tanë, ngase nuk kishin ide nëse kishim pasur ndonjë përleshje me dike apo na kishte ndodhur diçka. Më t’ju shpjeguar rastin na thanë që mund të shkonim pas tyre deri në kufirin e Kosovës dhe u munduan të na qetësonin me sa mundësi që kishin.

Pas shumë peripecive gjatë rrugës dhe telefonatave të pafundme që i bënim me të afërmit tonë, arritëm në kufirin e Kosovës me c’rast na u duk se e gjithë bota ishte e jona. Kufitarët kosovarë kishin marrë një informatë te qoroditur që ka pasur shkëmbim zjarri në mes të dy veturave me vajza dhe kështu, kur ne arritëm, pothuajse gjithë forcat kufitare ishin pranë veturës sonë. Kur ne dolëm të tronditura dhe të dërrmuara nga të qarat dhe ulërimat në veturë, dhe filluam të shpjegonim ngjarjen, policët kufitarë menduan se ardhja në kufirin e Kosovës ishte veprimi më i zgjuar që ne kishim ndërmarrë, jo për të fyer ndokënd, po për vet faktin se ngjarje të tilla këto kohët e fundit kundrejt turistëve kosovarë ka pasur shumë.

Për fatin tonë të keq, shoqet tona ende po mbaheshin peng diku gjatë rrugës. Tentuan nga pika kufitare e Kosovës të kontaktonin me drejtorin e Stacionit policor në Lezhë, me c’rast ne kërkuam që ata të vinin në pikën kufitare në Kosovë së bashku me shoqet tona, në mënyrë që ne të jepnim deklaratat tona dhe të denonconim rastin. Pasi ishte bisedë në mes të palës kosovare dhe asaj të Shqipërisë, na lanë të kuptojmë se ato, edhe pse nuk e dinin rastin, do të ktheheshin në Stacionin policor në Lezhë ku u mbajtën pothuajse deri në orën 3:00 të mëngjesit.

Në ndërkohë, ne tentuam të kontaktonim edhe Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë për të kërkuar ndërhyrjen e tyre, mirëpo ishte e pamundshme që të binim në kontakt me ta sepse në numrat e telefonit të tyre nuk lajmërohej askush.

Ditën e hënë ka qenë pikërisht Ambasada ajo që na ka kontaktuar dhe ka kërkuar nga ne që t’ju dërgojmë një letër duke shpjeguar rastin në fjalë.

Diku rreth orës 4:30, pjesa tjetër e grupit arriti në kufirin e Kosovës, natyrisht pa përcjellje, edhe pse ne insistonim qe punonjësit e Policisë së Lezhës t’i përcillnin deri në kufi për shkak të sigurisë. Por, ata nuk e kishin parë të arsyeshme t’i përcillnin më tepër se 10 minuta nga Stacioni policor.

Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, pas pothuajse katër orëve, arriti në kufirin e Kosovës një përfaqësues i Policisë nga Kukësi, i cili është vetëm 20.7 kilometra larg kufirit të Kosovës, që të merrte deklaratat tona. Normalisht, ne nuk pranuam të deklaronim para se të vinin shoqet tona nga Lezha për t’u siguruar që janë shëndosh e mirë. Me arritjen e tyre, kuptuam se një poli, që sipas tyre ishte një ndër kryesuesit e rajonit të Policisë së Lezhës, e kishte arsyetuar sulmuesin me fjalët: “Duhet ta kuptoni se ndoshta njeriu ka hallet e veta, mund të ketë punuar gjatë tërë ditës, ka pirë nja dy gota alkool dhe në fund të fundit fiton alkooli”! Arsyetim qesharak, për të mos thënë idiot nga ana e punonjësit të Policisë. Ndërsa, një prej personave që mori deklaratën tonë tha se “këto gjëra ndodhin në çdo vend” e se “nuk keni pse e bëni kaq të madhe këtë punë; nuk keni pse vajtoni”!

Tani, për t’u kthyer tek tema e juaj e cila kishte të bënte me rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga ISIS-i, po ju them edhe njëherë se rreziku kryesor janë kriminelët dhe banditët në vendin tuaj. ISIS është një rrezik i cili po i kanoset pothuajse të gjitha superfuqive të botës. Shqipëria dhe Kosova janë vende te cilat nuk kanë fuqi dhe potencial ta luftojnë atë, apo edhe të mbrohen nga ta, duke ditur se metodat e sulmeve të tyre janë shumë të sofistikuara. Por, mendojmë që do të mund të luftonit kriminelët në vendin tuaj. Nuk them se Kosova është në gjendje shumë të mirë. Jo, aspak. Edhe ne kemi hallet dhe problemet tona, mirëpo probleme të tilla kemi më pak, për të mos thënë aspak në krahasim me ato që ndodhin në rrugët tuaja.

Ndoshta ju në Shqipëri jeni mësuar me ngjarje të tilla, mirëpo ne në Kosovë jo.

Përsëri po them që në këtë shkrim po ju drejtohemi vetëm kriminelëve dhe nuk duam ta përgjithësojmë rastin. Ne kemi shumë respekt për turistët tuaj dhe e çmojmë shumë ardhjen e tyre në Kosovë. Duke u nisur nga fakti që një pjesë shumë e madhe e të hyrave në shtetin tuaj vijnë nga turistët kosovarë, çka ne marrim prej jush në këmbim në shumë raste është vjedhja dhe terrori që na shkaktohet në rrugët tuaja.

Ne e dimë që nuk jemi rasti i parë, mirëpo shpresojmë shumë që do të jemi i fundit. Për më tepër, shpresojmë që rasti i denoncuar nga ana jonë nuk do të mbetet vetëm një tjetër rast i vendosur në raftet e stacionit policor të Lezhës, por do të tentohet të zbardhet ky rast dhe të marrë dënimin e merituar personi i cili na sulmoi.

Me këtë letër kërkoj nga ju që ta bëni publik rastin (duke ditur se keni një shikueshmëri të madhe dhe influencë tek institucionet shqiptare); kërkojmë ndihmë nga ju në zbardhjen e këtij rasti dhe identifikimin e personit përgjegjës. Për më tepër, ne i jemi drejtuar edhe ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë për t’ia shpjeguar rastin dhe për të kërkuar ndihmë nga ta. Pavarësisht faktit se a do të zbulohet e vërteta nga institucionet e juaja të ndjekjes, së paku ne do të ju hapim sytë vendasve tanë që të kenë kujdes dhe të mos udhëtojnë në Shqipëri gjatë natës, për të mos thënë të mos vijnë në Shqipëri fare.

Ndoshta ju në një nga emisionet tuaja do të mund të trajtonit këtë temë, në mënyrë që të rrisni sigurinë në vendin tuaj.

Kjo letër nuk do te mbetet me kaq, por do të dërgohet edhe në mediat në Kosovë në mënyrë që të informojmë qytetarët e të dyja vendeve për rrezikun që iu kanoset çdo ditë.

Me respekt, vajzat që shpresojnë që ky përjetim i hidhur i turistëve të jetë i fundit në Shqipëri

P.S. Për çështje të sigurisë, nga frika se mund të shqetësohemi, vendosëm që në këtë letër të mos i publikojmë emrat tanë. Por, rasti është i denoncuar tek policët e Lezhës, tek ata të Kukësit, si dhe tek Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë. Shpresojmë që edhe në rast të hetimit nga ana juaj të këtij rasti, burimi të mos ceket, por të mbetet kështu, anonim. /albeu.com/
Shtuar më 19/11/2015, ora 10:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori