LDK synon fitore në shumicën e komunave
LDK-ja e Kaçanikut ka shënuar 23-vjetorin e themelimit të saj, ndërsa lideri i kësaj partie, Isa Mustafa, ka deklaruar se ky subjekt politik do të fitojë në shumicën e komunave të Kosovës në zgjedhjet e sivjetme lokale, njofton portali Koha.

Ai ka theksuar se sivjet do të duhej të mbaheshin edhe zgjedhjet nacionale, ndërsa ka artikuluar bindjen e tij se LDK-ja do të dalë e para edhe në nivel vendi kurdo që zgjedhjet parlamentare të mbahen.

“Ne sivjet do t’i kemi zgjedhjet lokale, kurse unë mendoj se duhet të kemi edhe zgjedhje nacionale. Ne synojmë të fitojmë në Kaçanik, ne synojmë të fitojmë në numrin më të madh të komunave të Kosovës dhe jemi të bindur që me këtë organizim dhe me këtë përkrahje të anëtarësisë sonë dhe të qytetarëve tanë ne do të fitojmë edhe në Kosovë”, ka theksuar Mustafa.

Kryetar i Degës së LDK-së Së Kaçanikut, Selim Reka, ka rikujtuar se kjo parti nuk ka dalë e para në Kaçanik në asnjë palë zgjedhjesh të mbajtura pas luftës.

“LDK-ja në Kaçanik asnjëherë nuk ishte e para, por ishte shumë afër për të qenë e para në zgjedhjet lokale të mbajtura menjëherë pas përfundimit të luftës. Partia në pushtet, duke e parë masovizimin e LDK-së, filloi t’i kërcënojë veprimtarët, komisionerët, vëzhguesit, filloi ta tjetërsojë votën duke i mbushur kutitë e votimeve dhe të djegë selinë e LDK-së. Por LDK-ja e ruajti gjakftohtësinë, u iku konflikteve dhe luftës vëllavrasëse”, ka thënë Reka.

Pjesë e skenarit të manifestimit për shënimin e 23-vjetorit të LDK-së të Kaçanikut ka qenë edhe dorëzimi për simbolikë i teserave partiake 23 anëtarëve të rinj, ndërsa është thënë se 400 të tjerëve ato do t’u dorëzohen gjatë koktejit për pjesëmarrësit. /albeu.com/
Shtuar më 03/02/2013, ora 19:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori