LDK presion Jahjagës: Largohu!
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po vazhdon t’i bëjë presion Atifete Jahjagës për t’u larguar nga posti i Presidentes, në mënyrë që t’u hapet rruga reformave zgjedhore dhe kushtetuese. Madje, zyrtarë të partisë më të madhe opozitare këtë po e bëjnë edhe gjatë vizitave në terren.

Kështu, të shtunën, nga Gjilani, deputetët Lutfi Haziri e Vjosa Osmani kanë thënë se presioni opozitar do të rritet për ta detyruar Jahjagën që të largohet nga posti më i lartë shtetëror. Në të kundërtën, zyrtarët e LDK’së kanë thënë se Jahjaga mund të jetë Presidente e PDK’së, por jo e krejt Kosovës, njofton gazeta Express.

"Nëse nuk e respekton marrëveshjen, Jahjaga ajo çdo ditë për LDK’në do të jetë Presidente e PDK’së, sepse ajo nuk e përfaqëson unitetin politik dhe qytetar", ka thënë Osmani të shtunën në Gjilan.

Presidentja Jahjaga ka ardhur në krye të shtetit, në bazë të një marrëveshjeje politike mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së, që parasheh mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale këtë vit, ndërsa ato parlamentare vitin e ardhshëm.

Situata është komplikuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Presidentes nuk mund t’i shkurtohet mandati me ndryshime kushtetuese. /albeu.com/
Shtuar më 09/09/2012, ora 09:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori