LDK: Marrëveshjet nuk janë të Kosovës por të Hashim Thaçit
Pëlqej
Shefi i grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka shprehur se marrëveshjet e arritura në dialog janë personale të Hashim Thaçit dhe jo të Kosovës.

"Rrjedhimisht, Presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës. Kështu që, çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës.

LDK-ja nuk e mbështet Presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë. Ai nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës. LDK-ja, si partia kryesore në vend, është e gatshme të marrë përsipër këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Këtë përgjegjësi ne do ta marrim përmes votës së qytetarëve, në zgjedhje të lira." tha ai.


Më tej, Hoti ka shtuar se sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë.

"Ne besojmë se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me fqinjit tonë verior, Serbinë. Dëshirojmë të përshëndesim angazhimin e miqve tanë ndërkombëtar në këtë proces, BE-së dhe SHBA-së.Kuvendi i Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë çështje, pasi platforma për dialog me Serbinë, që ishte në rend ditë në Kuvend, u tërhoq nga Qeveria. Ndërkaq, platforma e vitit 2011 e autorizon Qeverinë të dialogojë me Serbinë." ka shtuar Hoti.





Shtuar më 25/06/2018, ora 15:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori