Maks Velo ndërroi jetë sot, reagon me dhimbje Rama

Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo.

Kryeministri Edi Rama e ka përcjellë me trishtim lajmin e ndarjes nga jeta të arkitektit Maks Velo.

“Çfarë trishtimi, lamtumirë Maks”, shkruan Rama në Facebook.

Ai mbylli sytë në moshën 84-vjeçare pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje.

Maks Velo u lind në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha.

Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës.

Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.

Maks Velo ishte autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj. Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.


Shtuar 7.05.2020 15:54