LDK: Falënderojmë votuesit, procesi ishte i rregullt
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për shtyp pas mbylljes së vendvotimeve, me ç’rast ka falënderuar të gjithë votuesit që sot kanë marrë pjesë në balotazh, si dhe për kulturën demokratike të treguar në këtë proces zgjedhor.

“LDK-ja vlerëson se në përgjithësi, procesi ka qenë i rregullt dhe nuk janë evidentuar probleme të mëdha që do të mund ta komprometonin procesin zgjedhor. Megjithatë, sipas përfaqësuesve tanë në terren, të cilët kanë monitoruar më vëmendje të madhe procesin zgjedhor, disa parregullsi janë vënë re në komunat si Prizreni, Vitia, Lipjani dhe Peja. Përfaqësuesit e LDK-së kanë njoftuar organet e rendit lidhur me këto parregullsi dhe presim që ato të hetohen në mënyrë që të zbardhet secili rast.

Tani, në këto moment kemi hyrë në fazën e numërimit të votave, fazë kjo tepër e rëndësishme, e cila e vulos edhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë komisionarëve dhe vëzhguesve që të kryejnë me përgjegjësi dhe ndershmëri maksimale procesin e numërimit të votave. Ne po ashtu presim nga organet e rendit që të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre me korrektësi”, u tha në konferencë me gazetarë të Shtabit zgjedhor të LDK-së.
Në fund u tha se LDK-ja do të respektojë vullnetin e sovranit dhe pret që pas numërimit të rezultateve, sonte të festojë fitoren e saj së bashku me qytetarët e Kosovës.
Shtuar më 01/12/2013, ora 22:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori