LDK do komunat që ka zotëruar
Isa Mustafa i ka vënë vetës një mision të vështirë. Ai u ka premtuar strukturave partiake dhe anëtarësisë se LDK do ta rikthejë primatin në gjitha komunat me të cilat ka udhëhequr deri në vitin 2007, kur edhe ndodhi shpartallimi i madh i kësaj partie.

“Unë s’mund të përmend emra qytetesh, por unë mund t’ju them se LDK do të kthehet në gjitha komunat që i ka pasur dikur”, ka thënë Mustafa gjatë një tubimi në Prishtinë.

Si për ta çuar fjalën e Shefit në vend dhe duke shfrytëzuar problemet me Degën e PDK’së në Malishevë, të hënën në këtë qytet ka qëndruar Ismet Beqiri, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së.

Beqiri shprehu bindjen e plotë se në Malishevë fitorja e LDK-së do të jetë e sigurt. Ai u bëri thirrje të gjithë të pranishmëve që të bashkohen me ndryshimin që po sjell LDK-ja në Malishevë, thuhet në njoftimin për medie të kësaj partie, shkruan Express.

Po ashtu, Beqiri theksoi se kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Malishevës, Salih Morina, është kandidati më i mirë për ta qeverisur Malishevën, ndërsa fitorja e tij do të jetë e pakontestueshme.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Salih Morina u zotua se do t'u ofrojë përkrahje të plotë qytetarëve për zgjidhjen e problemeve të shumta që i kanë. Ai theksoi se do të angazhohet maksimal për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Ndërkaq, Lutfi Haziri, kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit, i cili ka mbajtur një konferencë me gazetarë, në të cilën ka bërë me dije se tashti dihen emrat e kandidatëve për këshilltarë të LDK-së, ngase të gjitha strukturat e saj kanë rënë në ujdi.

Sipas Hazirit, të gjithë kandidatët e tashëm që janë këshilltarë në AK-në e Gjilanit janë në listë, sikurse që në listë janë edhe 22 emra të rinj, që përfaqësojnë strukturat e partisë, qytetarët dhe shoqërinë civile. Ai ka bërë me dije se ia kanë marrë AKR-së këshilltaren Vjollca Matoshi, e cila do të jetë në listën e LDK-së.

Haziri është i bindur se LDK do të shënojë fitore në Gjilan dhe se sërish do ta rikthej pushtetin.

Deri në vitin 2007, LDK ka udhëhequr me shumicën e komunave të Kosovës. Megjithë pritjet e LDK’së, analistë politikë dhe sondazhe të brendshme të disa partive, nuk janë shumë optimiste për suksesin e LDK’së në zgjedhjet e sivjetshme. Madje, LDK thuhet se rrezikon të humb në dy komuna që udhëheq aktualisht, në Kastriot dhe Istog. /albeu.com/
Shtuar më 02/09/2013, ora 18:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori