LDK dhe VV raportojnë parregullsi në Mitrovicë
Lidhja Demokratike e Kosovës raporton për parregullsi gjatë rivotimit në Mitrovicë. "Në vendvotimin numër 1102b/13 në Mitrovicë, në kohën e hapjes së vendvotimit është raportuar se janë 650 fletëvotime, kurse në orën 12:00 është konstatur që janë 600 fletëvotime. Nuk është aspak e qartë se çfarë ka ndodhur me 50 fletëvotime", thuhet në komunikatën e kësaj partie.

"Për këtë, Shtabi Zgjedhor i LDK-së në Mitrovicë ka informuar Komisionin Komunal Zgjedhor, ndërsa Shtabi Qendror i LDK-së ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve", bën të ditur kjo parti përmes komunikatës për media.

Edhe Lëvizja "Vetëvendosje" ka bërë të ditur se procesi i rivotimit në Mitrovicë po shoqërohet me parregullsi. Moslejimi i vëzhguesve, pengimi i gazetarëve apo propaganda për parti të caktuara brenda vendvotimit janë disa nga shkeljet që ka raportuar kjo lëvizje.

Sipas Vetëvendosjes, "komisionarët e partive politike, të prirë nga ata të PDK-së, po përpiqen sërish të zbatojnë skenarin e 12 dhjetorit dhe atë të 9 janarit".
Shtuar më 23/01/2011, ora 14:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori