LDD dëshiron bashkim me LDK-në
Lidhja Demokratike e Dardanisë
Drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) janë të gatshëm që t’i bashkohen partisë amë, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nëse për këtë ekziston vullneti te kjo e fundit.

Udhëheqësit e lartë të kësaj partie pas dështimit për të kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit, kanë nisur të zhvillojnë takime me degët dhe nëndegët, për të parë nga afër qëndrimin e anëtarësisë për gjendjen politike në vend.

Por, pavarësisht nga kjo, bashkimi me LDK-në shihet si opsioni më i mirë për partinë që drejtohet nga Nexhat Daci, parti kjo që ishte themeluar pas zgjedhjeve të brendshme në LDK, në dhjetor të vitit 2006 nga të “përjashtuarit” e ish-kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Nënkryetarja e LDD-së, Besa Gaxherri, thotë se vizita e fundit ka qenë në Ferizaj, ndërsa deri në fund të vitit do të përfundojnë të gjitha vizitat nëpër degë, pas të cilave do të zgjidhet kryesia e re.

Por, pavarësisht nga kjo, ajo nuk e përjashton mundësinë që edhe pas këtij procesi, LDD t’i bashkohet LDK-së.

“Në këto katër-pesë vitet e veprimit tonë ne kemi dhënë mjaft shembuj që jemi të gatshëm të bisedojmë. Nuk është gatishmëria e LDK-së për këtë problematikë. Më çuditë fakti që sidomos pas zgjedhjes së kryetarit Isa Mustafa që vërtetë është pritur jo vetëm nga ne, por edhe nga qytetarët dhe mediet që të ketë ndryshim në këtë aspekt, sa i përket uljes, bisedimeve, marrëveshjeve, bashkëpunimeve, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, thotë Gaxherri.

Ajo thekson se LDD është e gatshme për çdo lloj bashkëpunimi me LDK-në, përfshi edhe bashkimin e këtyre dy subjekteve politike.

Por, në organet udhëheqëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës duket se nuk është në “rend dite” bashkëpunimi me partinë e Dacit, dhe aq më pak bashkimi i këtyre dy partive.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, thotë se në kryesinë e partisë nuk është diskutuar për këtë çështje, por ai pohon se janë të gatshëm për bashkëpunim me ish-anëtarët e partisë së tyre.

“Nuk kemi biseduar në kryesi, nuk është hapur kjo temë (shkrirja e LDD-së në LDK). Edhe bisedime zyrtare nuk ka. LDD-ja është parti e afërt me ne, ata mund t’i bashkëngjiten LDK-së, janë të mirëseardhur çdoherë dhe ne e respektojmë punën e tyre në të gjitha periudhat kohore”, thotë Rugova, duke shtuar se në të ardhmen bashkimi i këtyre dy partive politike mund të bëhet realitet.
Shtuar më 02/11/2011, ora 09:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori