Largimi i mbikëqyrjes së pavarësisë, sukses kosovar dhe evropian
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj pas takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Finlandës, Erkki Tuomioja, ka falënderuar shtetin e Finlandës për përkrahjen e madhe që i ka dhënën Kosovës në të gjitha sferat, me theks të veçantë në procesin e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.


Ministri Hoxhaj e ka vlerësuar shumë të rëndësishme vizitën e homologut finlandez, duke iu referuar faktit se kjo vizitë vjen pikërisht në javën e fundit para përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Hoxhaj falënderoi homologun Tuomioja edhe për mbështetjen që i ka dhënën Finlanda Kosovës në ndërtimin e institucioneve shtetërore, për krijimin e bazave të reja të ekonomisë së tregut, modernizimin e sistemit arsimor e shëndetësor, e shumë fusha të tjera.

Ministri Hoxhaj ka ritheksuar se largimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës është një ngjarje e rëndësishme, një sukses vendor, evropian dhe se Finlanda si vend që e ka mbështetur fuqishëm Kosovën, ka dhënë kontribut të madh në këtë drejtim.

Ministri Hoxhaj dhe Ministri Tuomioja kanë biseduar edhe për agjendën evropiane të Kosovës.

Lidhur me liberalizimin e vizave, Ministri Hoxhaj ka theksuar se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të izoluar, duke kërkuar mbështetje nga Ministri i Jashtëm i Finlandës që pas plotësimit të kritereve nga ana e Kosovës, qytetarëve të saj t’iu mundësohet lëvizja e lirë pa viza në Evropë, si të gjithë qytetarëve të tjerë të rajonit.

Hoxhaj theksoi edhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për procesin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, i cili do t’i ofronte Kosovës mundësinë për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asocimit.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu foli edhe për procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Hoxhaj duke iu referuar faktit se gjatë nëntë raundeve të dialogut teknik në Bruksel, janë arritur shtatë marrëveshje, ka kërkuar zbatimin e tyre nga ana e Serbisë.

Në anën tjetër Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Finlandës, Erkki Tuomioja, ka vlerësuar lartë progresin e arritur në Kosovë gjatë këtyre viteve.

Ai është shprehur i lumtur që ndodhet në Kosovë pikërisht në prag të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, duke premtuar përkrahjen e mëtutjeshme të Finlandës për Republikën e Kosovës. /albeu.com/

Ministri Tuomioja ka folur edhe për perspektivën integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke theksuar se përkundër problemeve aktuale që ka BE-ja, ajo do të mbetet e hapur për zgjerim, duke shprehur besimin se edhe Kosova një ditë do të jetë pjesë e BE-së, pas përmbushjes së kritereve të nevojshme për këtë proces. /albeu.com/
Shtuar më 06/09/2012, ora 16:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori