Mesa duket çështja e
simboleve në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, ka sjell përçarje brenda Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve.
Sipas njerit prej anëtarëve të KQZ-së Fadil Malokut nga AKR-ja, presioni i ushtruar mbi të, që të mbështesë heqjen e
simboleve të shtetit nga fletëvotimet po i kushtojnë atij largimin nga KQZ-ja.
Beogradi ka shtruar kërkesën para qeverisë së Kosovës që të heq simbolet në mënyrë që serbët e veriut të dalin në zgjedhjet e ardhsme. Sidoqoftë, Maloku thotë se presionet atij i vijnë si nga vija e partisë, ashtu edhe nga KQZ-ja.
Përmes një komunikate, AKR u është drejtuar mediave duke potencuar se nuk ka bërë asnjë
presion ndaj Malokut dhe ka paralajmëruar shkarkimin e tij nga KQZ-ja.
Kurse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e ka mohuar se i ka bërë ndonjëherë ndonjë lloj presioni Malokut apo cilitdo anëtar të këtij organi. Aq më pak në lidhje me çështjet e
simboleve apo logos shtetërore te materiali zgjedhor, shkruan REL.
“Nuk e kam diskutuar me asnjë anëtar çështjen e logos, e aq më pak që kam bërë
presion mbi ndonjë anëtar të KQZ-së. Pra, e them me përgjegjësi të plotë që asnjëherë as nuk është diskutuar kjo çështje, e aq më pak që kemi diskutuar këtë me Fadil Malokun”, ka deklaruar Daka.
Një anëtar tjetër i KQZ-së, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, thotë se mbi të askush nuk ka ushtruar deri më sot ndonjë
presion lidhur me çështjen e heqjes së
simboleve nga fletëvotimet.
“Asnjë lloj presioni, asnjë kërkesë dhe biseda rreth kësaj çështjeje nuk kam pasur deri në këtë moment”, ka thënë Dushi.
Kërkesa për heqjen e
simboleve shtetërore të Kosovës nga fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore, është parashtruar nga Serbia dhe lidhet me zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit të arritur në dialogun Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zyrtarët nga qeveria serbe kanë parashtruar këtë kërkesë si kusht për daljen e serbëve verior në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas tyre, logot dhe simbolet e shtetit të Kosovës nuk mund të jenë në materialet zgjedhore, pasi që Marrëveshja e Brukselit është neutrale në raport me statusin e Kosovës. /albeu.com/
Shtuar më 18/08/2013,
ora 17:54