Turqit bëhen gati? “Ushtria amerikane, gati të sulmojë Stambollin, në lojë edhe Izraeli me Greqinë”

Admirali turk Cihat Yayci ka bërë disa deklarata të forta gjatë një interviste për një media lokale duke paralajmëruar pushtimin e Turqisë nga SHBA-të. Të bëra në një media që përfaqëson interesat e shtetit të nëndheshëm turk, këto deklarata janë lexuar si një përgatitje për të përpunuar opinionin publik para zgjedhjeve të përgjithshme të pranverës.

Admirali në fjalë ka zbuluar edhe planin që sipas tij do të aplikohet ndaj Turqisë nga vendet e NATO-s, ku si përherë çelësi është Greqia, raporton Albeu.com.

“Si fillim ata po armatosin ishujt grekë përballë nesh dhe do të nisin një agresion përmes tyre. Pasi ne të përgjigjemi ata do të na quajnë si vend që sulmon aleatët e NATO-s dhe do të na nxjerrin nga aleanca. Pastaj do të fusin në NATO Izraelin dhe Qipron. Kur të ketë ndodhur kjo, do të na kërkojnë të largohemi nga Qipro e Veriut dhe kur ne të refuzojmë ata do të na sulmojnë në kuadër të nenit 5 të organizatës”, shprehet ai.

Deklaratat janë komentuar me ironi në rrjetet sociale në Turqi edhe pse një numër jo i pakët njerëzish e kanë marrë seriozisht idenë e një sulmi amerikan ndaj turqve, të cilët gjatë viteve të fundit janë larguar ndjeshëm nga Perëndimi duke u bërë aleatë të ngushtë më Putinin.