Ky është qëndrimi i Vetëvendosjes për sulmin në Paris
Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar një telegram ngushëllimi Ambasadës Franceze në Kosovë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Paris.

Ja telegrami ngushëllues i Vetëvendosjes dërguar Ambasadës Franceze

Pas atentatit kriminal dhe sulmit ndaj revistës franceze “Charlie Hebdo”, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bashkohet hidhërimit të opinionit të gjerë publik, kombëtar e ndërkombëtar, dhe i shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave, kolegëve të tyre në revistën e sulmuar, si dhe shtypit francez në tërësi.

Përmes këtij mesazhi ngushëllues Lëvizja VETËVENDOSJE! i përcjell ambasadës së Republikës së Francës në Kosovë, solidaritetin dhe mbështetjen tonë në këto momente të vështira për vlerat republikane të Francës, tek të cilat gjejmë frymëzim edhe ne.

Në sulmin kriminal të së mërkurës, më 7 janar 2015, u vu në shënjestër liria e shprehjes dhe ajo e kritikës, vlera universale të cilat duhen kultivuar me përkushtim. Është për t’u marrë si shembull, qëndrimi korrekt dhe i përkujdesur i qeverisë dhe i opozitës franceze, i opinionit të gjerë fetar dhe laik, të cilët bënë thirrje për të mos e përgjithësuar fajin në këtë rast dhe në asnjë rast tjetër, duke i dalë përballë secilit reagim që do të mund të çonte në rritje të islamofobisë, apo në diskriminim të qytetarëve në baza të besimit fetar apo prejardhjes etnike.

Jemi të bindur se Franca do ta fitojë betejën kundër sulmeve të tilla, dhe do të vazhdojë të jetë një vend i udhëhequr prej parimeve ndriçuese dhe universale të iluminizmit, synimit për barazi dhe luftës ndaj diskriminimeve.

Këto parime nuk do të mund të mposhten nga cinizmi e nihilizmi i palëve që bëjnë thirrje për supremaci të vetes, apo nënshtrim të tjetrit.
Duke u solidarizuar në dhimbje, edhe një herë, pranoni ngushëllimet tona!”/albeu.com/


Shtuar më 08/01/2015, ora 10:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori