Kuvendi kërkon raport për zgjedhjet në veri
Komisioni për Siguri dhe Punë të Brendshme të Kuvendit të Kosovës ka shtuar si pikë në rend dite situatën e sigurisë në veri.

Me qëllim që të mos përsëritet e njëjta situatë si më tre nëntor, anëtarë të Komisionit kërkuan përgatitje më serioze në ditën e rivotimit me 17 nëntor.

Ahmet Isufi kryetari i Komisionit tha se duheshin marrë masa më adekuate nga mekanizmat e sigurisë në veri që të parandaloheshin veprimet e grupeve ekstremiste.

"Kërkesë e jona si komision është që institucionet e sigurisë me 17 nëntor të jenë më të përgatitura më mënyrë që procesi zgjedhor atje të shkojë në mënyrë normale, që Kosova të ketë krijim të institucioneve në bazë të votës së lirë dhe të funksionojë normalisht",-tha ai.

Vjollca Krasniqi anëtare e Komisionit për Siguri nga LDK tha se kjo situatë ka qenë e pritshme, por në këtë rast kanë dështuar institucionet e sigurisë.

Ndërsa Fatmir Xhelili nga PDK- nuk e fajëson Policinë e Kosovës për dështimin e këtij procesi, por kërkon informata shtesë nga policia dhe EULEX-i se çfarë ka ndodhur atë ditë.

Komisioni pret që deri me 13 nëntor EULEX-i dhe Policia e Kosovës, të informojnë se çfarë ka ndodhur në veri dhe a kanë marrë seriozisht pjesën veriore. /albeu.com/
Shtuar më 08/11/2013, ora 18:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori