Pse Zelensky-n mund ta vrasë paqja dhe jo lufta

Nga Nina L.Khrushcheva “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Lum paqe-bërësit, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë!”- u thotë Jezusi i Nazaretit ndjekësve të tij gjatë Predikimit në Mal. Është e pamundur të dihet nëse ata që guxojnë t’i japin fund konflikteve brutale gëzojnë shpërblime të mëdha në parajsë, siç premton edhe predikimi.

Por këtu në Tokë është e qartë se shpeshherë paqe-bërësit paguajnë një çmim shumë të rëndë – jo rrallë me jetën e tyre – për përpjekjet e tyre. Shembujt për këtë janë të shumtë dhe të famshëm. Në dhjetorin e vitit 1921, Michael Collins, udhëheqës në luftën e Irlandës për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar, nënshkroi Traktatin e diskutueshëm Anglo-Irlandez, që krijoi Shtetin e Lirë Irlandez me Mbretin britanik George V si kreun e shtetit.

Ai akt pasoi një luftë e përgjakshme civile ku Collins u vra, edhe pse në fund fituan forcat që ishin pro traktatit. Në nëntorin e vitit 1977 – vetëm 4 vite pas Luftës së Yom Kipur – presidenti egjiptian Anwar El-Sadat u bë lideri i parë arab që vizitoi Izraelin, ku mbajti një fjalim përtej të gjitha pritshmërive.

“Unë vij tek ju sot për të krijuar një jetë të re, për të vendosur paqen”- deklaroi ai para ligjvënësve izraelitë. Ajo vizitë i hapi rrugën nënshkrimit të Marrëveshjes së Camp David të vitit 1978 dhe nga ana tjetër Traktatit të Paqes Egjipt-Izrael të vitit 1979. Por ndjenjat anti-izraelite mbetën shumë të forta dhe në vitin 1981, oficerët fondamentalistë të ushtrisë egjiptiane hapën zjarr ndaj Sadatit gjatë një parade ushtarake, duke e vrarë atë në çast, por jo procesin e paqes që kishte nisur ai.

Në shtatorin e vitit 1995, kryeministri izraelit Yitzhak Rabin nënshkroi Marrëveshjen e Oslos II – një hap vendimtar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje midis izraelitëve dhe palestinezëve. Por më pak se 2 muaj më vonë, u vra në një atentat. Këtë herë, procesi i paqes nuk i mbijetoi humbjes së jetës së paqe-bërësit.

Ndërsa sot, që të dyja palët duken më larg se kurrë më parë arritjes së një marrëveshje paqeje.

Lista vazhdon. Walther Rathenau i Gjermanisë së Republikës së Vajmarit u vra sepse negocioi Traktatin e Rapallos me Bashkimin Sovjetik.

Mahatma Gandhi u qëllua për vdekje nga një fanatik nacionalist hindu, i cili e kundërshtonte filozofinë e tij të tolerancës ndaj myslimanëve. Kryeministri indian, Rajiv Gandhi, u hodh në erë nga një kamikaz i Tigrave Tamilë, menjëherë pasi i dha fund ndërhyrjes ushtarake të Indisë në luftën civile në Sri Lanka.

Mesazhi është shumë i qartë: një udhëheqës që bën kompromise për hir të paqes, mund të përfundojë duke vdekur për atë kauzë. Ky është një realitet për të cilin duhet të jetë i vetëdijshëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Tre dekadat e pavarësisë së Ukrainës, janë karakterizuar nga një luftë politike e egër, dhe muajt para pushtimit rus nuk bënin ndonjë përjashtim.

Madje Zelensky, në atë moment jo shumë popullor, shkoi aq larg sa të ngrite akuza për tradhti ndaj paraardhësit të tij, Petro Poroshenko. (Shumëkush mund të pyesë nëse presidenti rus Vladimir Putin e pa sulmin e Zelensky-t ndaj Poroshenkos si një dëshmi se demokracia e Ukrainës ishte në një degradim përfundimtar, dhe se vendi do ta pranonte nënshtrimin ndaj Moskës).

Por pushtimi rus ndryshoi gjithçka. Ukraina tregoi një nivel uniteti që ka habitur, dhe në shumë mënyra e ka frymëzuar botën. Ndërsa Perëndimi ka siguruar burime, janë ukrainasit ata që i kanë rezistuar njërës prej ushtrive më të mëdha në botë, duke mbrojtur territoret kryesore dhe duke i çliruar të tjerat.

Në rrafshin politik, Zelensky dështoi të krijojë qeverinë e unitetit kombëtar që kërkoi rivalja e tij e dikurshme, ish-kryeministrja Yuliya Tymoshenko. Por politika e tij e rezistencës totale – përfshirë kërkesën e tij që Rusia të tërhiqet plotësisht nga territori ukrainas, përpara se të nisë çfarëdolloj procesi për arritjen e paqes – ka fituar mbështetje nga partitë opozitare të Ukrainës, si në të majtë po ashtu edhe të djathtë, por edhe nga oligarkët ukrainas që zakonisht janë shumë të padisiplinuar.

Edhe fraksionet politike që e kanë mbështetur prej kohësh Rusinë, e kanë mbyllur gojën që nga fillimi i luftës. Raportet e vetme mediatike mbi fërkimet midis udhëheqjes së Ukrainës përfshijnë gjeneralët që po e udhëheqin luftën. Disa anëtarë të rrethit të brendshëm të Zelensky, dyshohet se kanë frikë se udhëheqësit ushtarakë – që gëzojnë një popullaritet të jashtëzakonshëm në mesin e publikut ukrainas – mund ta sfidojnë presidentin në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo sugjeron se për momentin ukrainasit mund të jenë më pak të bashkuar pas vetë Zelensky sesa pas qëndrimit të tij të pa kompromis në lidhje me negociatat me Rusinë. Pra, nëse ai i nënshtrohet një presioni ndërkombëtar në rritje për të zbutur pozicionin e tij, ukrainasit mund të mos ndjekin shembullin e tij.

Pas luftës heroike që kanë bërë, shumë prej tyre mund të ndihen të tradhtuar, madje edhe të tërbuar nga zemërimi. Dhe nëse historia është njëfarë udhërrëfyesi, indinjata mund të pasohet nga dhuna fizike, duke synuar mbi të gjitha Zelensky.

Shumë nga ata që i kërkojnë Zelenskyt të negociojë me Putinin, po e bëjnë këtë sepse duan vërtetë që t’i japin fund gjakderdhjes. Por, ashtu si lufta mbart një kosto shumë të lartë, kjo gjë është e vërtetë edhe për paqen me Rusinë, jo më pak për vetë paqe-bërësin.

Nëse Zelensky do të bindet të bëjë lëshime ndaj një regjimi që e ka shkatërruar infrastrukturën e vendit të tij dhe që ka aneksuar akoma më shumë territore të tij, ata që e inkurajojnë atë duhet të hartojnë një plan – dhe të jenë të gatshëm që t’i qëndrojnë shumë afër për vitet në vijim – që zbut çdo lloj kërcënimi të mundshëm ndaj jetës së tij por në përgjithësi ndaj çdo sulmi të ardhshëm nga ana e Rusisë.

“Lum ju kur njerëzit ju fyejnë, ju përndjekin dhe thonë pa të drejtë çdo lloj gjëje të keqe kundër jush”- thoshte dikur Jezusi. Nëse Zelensky dhe aleatët e tij do të arrijnë në përfundimin se një marrëveshje paqeje është alternativa më e mirë e Ukrainës, duhet shpresuar që e keqja të mos shkojë më tej sesa vetëm një mori fyerjesh dhe sulmesh verbale. /albeu.com

Shënin:Nina L.Khrushcheva, profesoreshë e Çështjeve Ndërkombëtare në Shkollën e Re, është bashkë-autore e librit “Në gjurmët e Putinit:Në kërkim të shpirtit të një perandorie në të 11 zonat kohore të Rusisë”.


Shtuar 27.01.2023 13:11