Kuvendi i Kosovës miraton themelimin e Gjykatës Speciale
Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale me 89 vota pro, 22 kundër dhe dy abstenime. Me këtë vendim të Kuvendit Gjykatës Speciale i hapet rruga që të trajtojë krimet e supozuara të UÇK-së të raportuara në raportin e Dick Martyt.

Të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës u shprehën pro themelimit të Gjykatës speciale, me përjashtim të grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Gjatë fjalimit të tij para Kuvendit, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për themelimin e Gjykatës për krime lufte, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që i bëhet Kosovës, por pavarësisht kësaj padrejtësie, institucionet e Kosovës duhet ta themelojnë këtë gjykatë.

Ai pranoi se kjo Gjykatë po themelohet si pasojë e raportit të Dick Martyt të miratuar nga Këshilli i Evropës, të cilin e vlerësoi si të dyshimtë dhe me pretendime të paqëndrueshme, pasi institucionet e Kosovës kanë qenë të përjashtuara nga puna e ‘task forcës’ që hetoi pretendimet e Dick Martyt.

"Sot nuk kemi dy opsione. Kemi vetëm një opsion. E ky është vazhdimi i bashkëpunimit me SHBA-në dhe BE-në, që nënkupton se duhet ta themelojmë këtë gjykatë", u shpreh Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje u pozicionua kundër themelimit të Gjykatës së veçantë për krime lufte, ndërsa partitë e tjera e kanë mbështetur atë me gjithë rezervat e tyre.

Krahas miratimit të themelimit të gjykatës speciale për krimet e luftës dhe mandatit të EULEX-it, Kuvendi me procedura të shpejtuara po miraton edhe ndryshimet në 12 ligje, me të cilat do të merren disa kompetenca nga misioni i EULEX-it. Ndryshimet e këtyre ligjeve pritet të bëhen me procedura të shpejtuara përmes shmangies së rregullores së punës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar se do të paraqeste një rezolutë në Kuvend, por ende nuk e ka lexuar. /albeu.com/
Shtuar më 23/04/2014, ora 13:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori