Kuvendi "heq dorë" nga shqyrtimi i pronësisë së "Trepçës"
Kuvendi i Kosovës ka hequr dorë nga shqyrtimi i pronësisë së kompleksit "Trepça", i bërë me propozimin e qeverisë së Kosovës. Ditën e sotme, në mbledhjen e qeverisë u aprovua propozimi "për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre". Por pas diskutimeve dhe protestave të serbëve të Kosovës, Kuvendi ka hequr nga rendi i ditës shqyrtimin e këtij propozimi.

Gjatë ditës priten disa takime në kuadër të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, e që kanë të bëjnë me këtë çështje.
“Trepça" është ndërmarrje shoqërore, dhe ndërmarrjet me status të këtillë, menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Me vendimin e qeverisë, është pritur që ky status të ndryshojë dhe kompleksi të jetë ndërmarrje publike, nën menaxhimin e qeverisë së Kosovës.

Ndryshimi i pronësisë se Trepçës është përkrahur nga udhëheqësit e këtij kombinati, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit. Por, një vendim i tillë, e ka zemëruar qeverinë e Serbisë, e cila të dielën ka thënë se nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave "Trepça". /albeu.com/
Shtuar më 19/01/2015, ora 14:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori