Kushtetuta "pa këllqe" e Kosovës
Katër vjet pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, ajo vazhdon të mos jetë e fuqishme në gjithë territorin. Autoriteti i Prishtinës zyrtare as që "ndjehet" në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse me Kushtetutë parashihet që “dora” e shtetit të jetë e pranishme në gjithë territorin e Kosovës.

Sfidat për zbatimin e Kushtetutës së Kosovës janë të natyrës politike, por dhe të mungesës së vullnetit të mjaftueshëm të institucioneve, thonë ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese, në katërvjetorin e miratimit aktit me të lartë juridik.

Eksperti i çështjeve juridike-kushtetuese, Riza Smaka, vlerëson se edhe pas katër vjetësh të nxjerrjes së aktit më të lartë juridik nuk shihet ndonjë përkushtim i institucioneve shtetërore të zbatojnë Kushtetutën.

Sipas tij, akti më i lartë ligjor nuk përfillet nga ata që janë të thirrur për ta respektuar dhe në të njëjtën kohë ka boshllëqe e vakuume juridike, si dhe dispozita kontradiktore. "Gjykoj se Kushtetuta nuk përfillet nga institucionet që janë më të predisponuara për ta përfillur, dhe më pastaj vijnë edhe subjektet tjera", ka thënë profesori Smaka, shkruan Zëri.

Mangësitë e evidencuara në këtë akt juridik, sipas tij, burojnë edhe nga fakti se ajo është hartuar me nxitim dhe nuk buron nga vullneti i popullit të Kosovës, por nga një dokument politik, siç është plani i presidentit Ahtisaari. /albeu.com/
Shtuar më 09/04/2012, ora 11:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori