Sulmet ruse me raketa, Zelensky: 6 milionë familje pa energji

Presidenti i Ukrainës thotë se gjashtë milionë familje ukrainase janë ende pa energji elektrike, pas sulmeve masive me raketa që goditën vendin këtë javë.

“Që nga kjo mbrëmje, ndërprerjet e energjisë vazhdojnë në shumicën e rajoneve dhe në Kiev”, tha Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës.

Numri i familjeve të prekura është ulur përgjysmë që nga e mërkura, shtoi ai. Por miliona njerëz kanë mbetur pa dritë, ujë apo ngrohje me fillimin e dimrit.

Presidenti Zelensky tha po ashtu se kryeqyteti dhe rajoni përreth tij janë ndër më të prekurit nga sulmet. Ai tha se shumë banorë në qytet kanë qenë pa energji “për 20 apo edhe 30 orë”, ndërsa shtoi se zona të tjera ndër më të prekurat janë rajonet e Odesës, në jug, Lviv në perëndim, si dhe Vinnytsia dhe Dnipropetrovsk që janë më qendrore.

Presidenti Zelensky u bëri thirrje të gjithëve që të përdorin pajisjet që përdorin energjinë me kursim: “Nëse nuk keni ndërprerje të energjisë, kjo nuk do të thotë se problemi ka mbaruar. Ju lutem, nëse keni energji elektrike, kjo nuk do të thotë se mund të ndizni disa pajisje elektrike të fuqishme në të njëjtën kohë. Duhet të durojmë këtë dimër, një dimër që do ta kujtojnë të gjithë”, tha ai.