Kush është avokati i njohur që do të përfaqësojë Thaçin në Hagë
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi së shpejti do t’i nisë së shpejti udhëtimet për në Hagë, pas aktakuzave për vrasje e krime të rënda.

Thaçi do të intervistohet ditën e hënë si ish-drejtor politik i UÇK-së, dhe do të mbrohet nga avokati kroat, Luka Misetiq. Avokati Misetiç, që ka përvojë në mbrojtjen e pjesëtarëve të luftërave të Jugosllavisë, pritet të jetë avokat i presidentit Hashim Thaçi gjatë proceseve në Hagë.

Ai është në listën e 40 juristëve të akredituar, të cilët mund të përfaqësojnë të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik në procedurat para Dhomave të Specializuara.

Kroati tashmë ka nisur “mbrojtjen” publike të presidentit Thaçi. Pas njoftimin se Prokuroria e Hagës ka dorëzuar aktakuzë kundër Thaçit, Misetiç shkruante se Thaçi ka të drejtë dhe e lidhte njoftimin për dorëzim të aktakuzës si interferim në takimin në Shtëpinë e Bardhë, ku do të shkonte Thaçi për rinisje të dialogut me Serbinë.

Thaçi ka të drejtë. Thembra e Akilit në drejtësinë ndërkombëtare për afro 30 vjet kanë qenë akuzat për interferim politik. Kështu që, cili është hapi i parë i madh i Zyrës së Prokurorit të Specializuar? Zbulimi i një informate të rëndësishme vetëm për ta ndaluar një proces paqësor politik. Fillim i keq për Gjykatën Speciale” , ka shkruar avokati në Tëitter.

Më parë në Hagë, Misetiç e ka mbrojtur Ante Gotovinën, komandant i forcave kroate, i cili kishte udhëhequr në operacionin “Stuhia” kundër forcave serbe. Gotovina ishte dënuar me 24 vjet burgim, por u lirua një vit më vonë, në 2012-n, duke u shpallur i pafajshëm.

Avokati është pjesë e firmës ligjore amerikane “Squire Patton Boggs”, me të cilën shteti i Kosovës ka pasur disa kontrata gjatë qeverisjes Thaçi, e më pas edhe kontrata lobuese. E njëjta kompani ka pasur kontrata për mbrojtjen e Kosovës në disa procese gjyqësore në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ndaj presidentit Hashim Thaçi, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë, për të cilën ka njoftuar publikisht dy javë më parë.

Aktakuza nuk është konfirmuar akoma, ndërsa, sipas njoftimit të ZPK-së, Thaçi, që ishte drejtor politik i UÇK-së, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Presidenti Thaçi, më parë nuk e ka pranuar se është intervistuar ndonjëherë nga prokurorët e Hagës.
Shtuar më 10/07/2020, ora 16:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori