Kurti: Vetëvendosje do ta bashkojë Mitrovicën
Albin Kurti
Përderisa Mitrovica mbetet e ndarë edhe Kosova do të jetë e ndarë, sepse situata në Kosovë matet me Mitrovicën, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në ditën e tretë dhe të fundit të fushatës për rivotimin në Mitrovicë, në tubimin e mbajtur në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, Kurti theksoi se Vetëvendosje ka program të qartë për mënyrën e bashkimit dhe integrimit të qytetit të Mitrovicës.
Sipas tij, nën udhëheqjen e kësaj lëvizje, do të vendosen fuqishëm pikat doganore 1 dhe 31, shqiptarët në veri që duan të shesin pronat e tyre nuk do të kenë nevojë t’ia shesin Serbisë. Shteti i Kosovës do t’i blejë ato, pastaj në veri do të punojnë policët shqiptarë dhe jo policët serbë, të cilët kryejnë punë të dyfishtë etj.
“Vetëvendosje do të mbetet opozitë e fuqishme deri sa t’i heqë të gjithë këta politikanë që e kanë shitur Kosovën”, është shprehur Kurti, duke shtuar se jo vetëm që do ta eliminojë korrupsionin, por edhe do ta konfiskojë pasurinë e të gjithë atyre politikanëve që e kanë fituar në mënyrë të pandershme.

Ai përsëriti se vota për Vetëvendosje është votë për parandalimin e ndarjes së Mitrovicës. “Vetëvendosje do ta bashkojë Mitrovicën, do t’ia kthejë ushtarit pushkën, nxënësit librin dhe do t’ia kthejë Shqipërisë Kosovën”, ka thënë Kurti. Duke përkujtuar se gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit është bërë shkelje e madhe, Kurti tha se më 23 janar do të bëhet korrigjimi më i madh i kësaj shkelje.
Shtuar më 21/01/2011, ora 17:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori