Kurti: Sot fëmijët mund të hanin ushqim falas
Pëlqej
Albin Kurti, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, ka uruar përmes Facebook-ut të gjithë nxënësit për vitin e ri shkollor, e sidomos ata që për herë të parë ulën në bankat e shkollës.

“Sot është dita e parë e shkollës, dhe u uroj nxënësve, sidomos atyre që fillojnë klasën e parë, që ta përjetojnë me lumturi e gëzim këtë ditë të veçantë.

Model i tyre nuk duhet të jenë injorantët që janë pasuruar me brutalitet, por ata që kanë sjellë përparim në shkencë, ekonomi, kulturë e shoqëri”, ka shkruar Kurti.

Ai ka deklaruar se po të ishte Vetëvendosja në pushtet, viti shkollor do fillonte me shpërndarjen e ushqimeve falas për fëmijët.

“Në vizionin tonë shkolla dhe edukimi duhet të jetë rruga e përparimit tonë kombëtar, shoqëror e individual, dhe ashtu do të bëhet”.

“Fatkeqësisht shkolla sot vuan mungesën e politikave që nxisin kreativitetin e nxënësit dhe angazhimin e mësuesit”.

“Shumë nxënës shkojnë në shkollë pa u ushqyer, dhe kjo ndikon në cilësinë e shkollimit të tyre”.

“Po të ishte lejuar krijimi i qeverisjes së Lëvizjes, sot në gjithë Kosovën do të kishte filluar shpërndarja falas e kifleve, qumështit dhe frutave. Megjithatë ajo ditë nuk është larg”.

“Edhe një herë, nxënës, mësues e prindër të nxënësve, gëzuar fillimin e vitit të ri shkollor, qoftë i mbarë për të gjithë ju”.
Shtuar më 04/09/2017, ora 13:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori