Kurti-Papës: Njihni Pavarësinë e Kosovës
Pëlqej
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, nëpërmjet një letre dërguar Papës i ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Vatikani. Ai ka thënë se njohja nga Selia e Shenjtë do ta fuqizonte edhe më tej popullin e Kosovës dhe do t’i forconte lidhjet e shtetit të ri me Selinë e Shenjtë.

"Njohja e Kosovës nga Vatikani do të ishte një hap drejt fuqizimit të popullit të Kosovës në luftën tonë për të realizuar një jetë të dinjitetshme për të gjithë qytetarët tanë.

Ne jemi të vetëdijshëm se politika e njohjes mund të jetë një çështje delikate dhe komplekse për Selinë e Shenjtë dhe për marrëdhëniet e saj diplomatike me shtetet e tjera. Megjithatë, janë qytetarët e thjeshtë të Kosovës që mbajnë barrën e kësaj mungese të njohjes në jetën e tyre të përditshme. Prandaj, unë me mirësi kërkoj nga Shenjtëria Juaj të lutet për ne dhe të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë në zemër të kësaj çështjeje", shkruan Albin Kurti. /albeu.com/

Letra e plotë:

Shenjtëria e Tij

Papa Françesku / Pallati Apostolik / 00120 Qyteti i Vatikanit

16 shtator 2014

Shenjtëria Juaj,

Është një nder i madh për mua t’ju shkruaj në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Aktivistët në lëvizjen tonë, ashtu si edhe populli i Kosovës, janë të entuziazmuar për vizitën tuaj këtë muaj në Shqipëri. Për ne vizita Juaj sinjalizon mirësinë, dashurinë, shpresën dhe mbështetjen Tuaj për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Vizita Juaj do të jetë një bekim i veçantë për shqiptarët katolikë që jetojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.

Ne në VETËVENDOSJE! jemi veçanërisht optimistë në lidhje me vizitën tuaj, sepse nëpërmjet veprimeve tuaja e keni përqendruar vëmendjen e botës tek të varfrit dhe të shtypurit. Ju keni dhënë një shembull të rëndësishëm dhe frymëzues për ne, për popullin tonë – dhe udhëheqësit tanë – duke qenë se në Kosovë ne luftojmë me varfëri konstante. Jeta dhe vepra e Nënë Terezës ka qenë gjithashtu një shembull udhërrëfyes për shqiptarët dhe për botën se çfarë do të thotë t’ia përkushtosh veten skamnorëve. Siç e dini, kur të mbërrini në Shqipëri Ju do të ateroni në aeroportin që mban emrin e saj.

Unë do të doja të tërhiqja vëmendjen Tuaj te fenomeni i njohur i bashkëjetesës fetare të cilën shqiptarët e kanë kultivuar me shekuj. Bashkëjetesa fetare ka mundësuar bashkëpunimin përtej linjave fetare dhe respekt të ndërsjellë për tempujt, simbolet dhe ritet fetare të besimeve tona të ndryshme. Ajo ka bërë të mundur që vendi ynë të mbijetojë si një tërësi – duke i bashkuar besimtarët shqiptarë katolikë, myslimanë dhe ortodoksë.

Edhe pse shumica e shqiptarëve sot janë muslimanë, ne kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë kontributin e klerit tonë katolik për ruajtjen dhe kultivimin e letërsisë shqipe. Në fakt, tekstet e para të shkruara në gjuhën shqipe janë trajtesa mbi Biblën shkruar nga klerikë katolikë. Disa nga shkollat tona të para në gjuhën shqipe ishin drejtuar nga Jezuitët në Shkodër.

Në Kosovë, ne kujtojmë në veçanti priftërinjtë dhe fretërit katolikë të Rendit Françeskan që ishin në ballë të mbrojtjes së shqiptarëve dhe luftës sonë për të drejtën për vetëvendosje në shekujt 19 dhe 20. Ata e informuan botën e jashtme për vuajtjet e civilëve shqiptarë gjatë luftërave të Ballkanit – kur populli ynë u nda padrejtësisht me kufij – dhe gjatë periudhës ndërmjet luftërave. Unë di për dy fretër që vdiqën duke mbrojtur shqiptarët në Kosovë – Frati Luigj Palaj, i cili u vra në afërsi të Gjakovës, në vitin 1913, duke i prirë komunitetit të tij në rezistencën kundër konvertimit të detyruar; dhe Frati Bernard Llupi, i cili u ekzekutua në vitin 1945 për rezistencën e tij kundër sundimit kolonial serb dhe jugosllav të Kosovës. Këta njerëz të besimit dhe ndërgjegjes kanë vepruar si përfaqësues jo vetëm të shqiptarëve katolikë, por të gjithë popullit shqiptar.

Shenjtëri,

Kur vendi im, Kosova, shpalli pavarësinë në vitin 2008, kjo ishte një shans për të gjithë ne në Kosovë, dhe në gjithë Ballkanin për të ndërtuar një jetë më të qetë, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare dhe etnike. Duke njohur pavarësinë si një instrument paqeje, Republika e Kosovës është njohur nga shumica e shteteve demokratike të botës – nga më shumë se 100 shtete aktualisht.

Megjithatë, fakti që Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, mbetet një shkak pasigurie që kontribuon në varfërinë e përhershme të popullit të Kosovës dhe inkurajon aspiratat hegjemoniste të Serbisë. Si rezultat, qytetarët e Kosovës mbeten njerëzit më të varfër në Evropë: rreth 18% jetojnë në varfëri të skajshme dhe 45% janë të papunë. Njohja e pavarësisë sonë – dhe e së drejtës sonë për të përcaktuar të ardhmen tonë – është jetike për ta mundësuar zhvillimin tonë, ndërtimin e shkollave dhe të një ekonomie që mund të sjellë prosperitet dhe paqe për vendin tonë.

Njohja e Kosovës nga Vatikani do të ishte një hap drejt fuqizimit të popullit të Kosovës në luftën tonë për të realizuar një jetë të dinjitetshme për të gjithë qytetarët tanë.

Ne jemi të vetëdijshëm se politika e njohjes mund të jetë një çështje delikate dhe komplekse për Selinë e Shenjtë dhe për marrëdhëniet e saj diplomatike me shtetet e tjera. Megjithatë, janë qytetarët e thjeshtë të Kosovës që mbajnë barrën e kësaj mungese të njohjes në jetën e tyre të përditshme. Prandaj, unë me mirësi kërkoj nga Shenjtëria Juaj të lutet për ne dhe të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë në zemër të kësaj çështjeje.

Vizita juaj në Shqipëri do të jetë një ngjarje historike e madhe për të gjithë shqiptarët dhe unë shpresoj se në të ardhmen do të kemi edhe kënaqësinë dhe nderin e vizitës suaj në Kosovë.

Juaji sinqerisht,

Albin Kurti

Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Shtuar më 20/09/2014, ora 15:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori