Kurti fajëson Pacollin dhe Thaçin për dështimin në Interpol
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit të Kosovës që të pranohet në INTERPOL. Kurti thotë se presidenti Hashim Thaçi dhe kryediplomati Behgjet Pacolli nuk ishin në Asamblenë e Përgjithshme, por vetëm në Dubai, si persona të shoubizit.

Kurti thotë se me njerëzit e njëjtë që e përfaqësojnë Kosovën, nuk mund të pritet rezultat pozitiv në anëtarësim.

“Pas dështimit për anëtarësim në UNESCO, Kosova dështoi për t’u anëtarësuar edhe në INTERPOL. Me këta njerëz të njëjtë që na përfaqësojnë dhe prijnë me shtetin nuk mund të kemi rezultate të tjera. Në këtë dështim kishte gjithçka përveç rastësisë. As nuk dinë dhe as nuk duan të përgatiten”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Lideri i VV-së thotë se Thaçi e Pacolli kanë shkuar si personalitete të shoubizit e jo si përfaqësues zyrtarë.

“Nuk shkojnë jashtë vendit si zyrtarë të përgjegjshëm të shtetit tonë por si personalitete të show-biz-it ndërkombëtar siç e imagjinojnë veten. Thaçi e Pacolli nuk ishin në Konferencën për INTERPOL në Dubai. Thjesht, ata ishin vetëm në Dubai. Serbia dhe Rusia e bënë punën e tyre shoviniste ashtu qysh i kemi njohur gjithmonë, por këta dy punën e kujt e bënë?", thuhet më tej në postimin e Kurtit.


Shtuar më 20/11/2018, ora 15:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori