Kurti emëron një grua si këshilltare të jashtme politike dhe përgjegjëse të Protokollit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Shenaj Shala, këshilltare të jashtme politike, e angazhuar pro bono, dhe është përgjegjëse e protokollit në kabinetin e kryeministrit.

Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Shenaj Shala është specialiste e protokollit, konsulente e mirësjelljes, mentore dhe ligjëruese e pavarur.

Ajo mbaroi studimet Master në vitin 2014 në Bruksel në “The International School for Protocol and Diplomacy” (ISPD).

Mes viteve 1999-2013, Shala punoi për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Afrikën Lindore si Asistente Personale e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Nga viti 2013-2015, Shala punoi për “Shell Oil & Petroleum” si Koordinatore e Shell Qendrës së Trajnimeve në Lindjen e Mesme.

Në qershor të vitit 2015 ajo u emërua Zyrtare Ndërlidhëse për Ballkan e ISPD-së, kurse në vitin 2018 ajo mori titullin e njërës prej 15 trajnereve globale për ‘pitch’ dhe aftësitë e prezantimit në “International Pitch School for IDACB” (International Decentralized Association for Cryptocurrency and Blockchain).

Shenaj Shala është trajnere personale e shumë figurave publike në Kosovë përmes këshillimit për paraqitjet mediale, imazhin personal, gjuhën e trupit dhe komunikimin jo verbal.

Shtuar më 26/02/2020, ora 14:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori