Firmosen marrëveshjet, Kosova dhe Bosnja lëvizin me karta identiteti, Bregu: Ra muri i fundit i vizave në Ballkan

Heqja e vizave mes Bosnjës dhe Kosovës ishte lajmi më i mirë për rajonin para nënshkrimit të tre marrëveshjeve të rëndësishme ditën e sotme në Berlin, të cilat do të lehtësojnë edhe më tej jetën e qytetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Një ndër marrëveshjet është edhe ajo për lehtësimin e procedurave të njohjes së diplomave nga vendet respektive duke rritur shanset e punësimit edhe për të rinjtë e këtyre shteteve.

Në lidhje me këtë, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu tha se heqja e vizave mes Kosovës dhe Bonjes ishte rrëzimi i murit të fundit të vizave në rajon.

“Kjo është një ditë shumë e mirë për qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnje Hercegovicës pasi shembet muri i fundit i vizave në rajon. Unë e kuptoj që te heqësh vizat me Bosnjen nuk është një lajm aq i madh për qytetarët e Kosovës sa do të ishte heqja e vizave me vendet e BE-së, por është një zhvillim shumë pozitiv pasi neve na duhet të mos ngremë mure, por t’i prishim ato barriera që janë, sepse ky është thelbi i bashkëpunimit.

Qytetarët e Bosnjes dhe Kosovës do të lëvizin vetëm me karta identiteti dhe kjo ka një mesazh të madh politik këtu pasi Bosnja nuk e ka njohur ende Kosovën. Ky është edhe një mesazh për të rinjtë e rajonit, të cilët tashmë do të kenë mundësi të punësohen nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor me procedura tepër më të thjeshta pas nënshkrimit të marrëveshjeve sot. Këto janë hapa që do të bëjnë që ndoshta të rinjtë të mos mendojnë më të largohen nga Ballkani edhe pse Perëndimi është shumë joshes”, tha Bregu.

Liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor firmosën sot në ambientet e Kancelarisë së Gjermanisë në Berlin tre marrëveshje të rendësishme që kanë të bëjnë me njohjen reciproke të diplomave, të letërnjoftimeve si edhe të kualifikimeve profesionale. Në samit morën pjesë Kancelari Gjerman, Olaf Scholz, shefja e Komisionit Europian, Van der Leyen; Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu si edhe liderët e Shqipërisë; Kosovës; Bosnjes; Malit të Zi; Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.