Kurti e Osmani në Reçak: S’mund të ketë paqe pa drejtësi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, nga Reçaku, kanë thënë se pa u vendosur drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë, s’mund të ketë paqe të qëndrueshme.

“Masakra e Reçakut është ndër dështimet më autentike të krimeve të Serbisë në Kosovë. Është vendi ku përfundimisht u dëshmua qëllimi i Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar. Duke nderuar gjithë dëshmorët dhe martirët duhet thënë me zë të lartë këtë të vërtetë duke kërkuar drejtësi për të gjithë ata që ishin viktima civile e ata që ranë për të gëzuar ne lirinë. Dëshmitë e gjenocidit serb mund t’i gjejmë anekënd Kosovës prandaj s’është kurrë vonë që për këto krime të flasim kudo në botë që edhe bota t’i kthejë sytë kah këto krime”, ka thënë Osmani para gazetarëve.

Ndërkaq Kurti ka shtuar se masakra e Reçakut kishte shërbyer si alarm për opinionin ndërkombëtar që të intervenojë në Kosovë.

“Jo vetëm urdhërdhënësit, por edhe ekzekutorët dihen me emra në shumë raste, jo vetëm për masakrën e Reçakut dhe është detyrë e shtetit tonë dhe e faktorit ndërkombëtar që t’i ndjekim e gjykojmë e t’i dënojmë ata. S’mund të ketë paqe të qëndrueshme përderisa s’ka drejtësi që sjell rehabilitim për viktimat e dënim për kriminelët”, ka deklaruar Kurti.
Shtuar më 15/01/2021, ora 11:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori