Kurti denoncon tek gjermanët planin e Hashimit për ndryshimin e kufijve
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u ka thënë disa deputetëve gjermanë se ideja për shkëmbim territoresh me Serbinë është kundër parimeve të Republikës së Kosovës. Ka thënë se një ide e tillë është edhe kundër parimeve të demokracisë.
Këto komente Kurti i ka bërë në takimin me delegacionin e Partisë Social-Demokrate nga Bundestagu gjerman, të përbërë nga deputetët, Josip Juratovic, deputeti Dr. Martin Rosemann, me bashkëpunëtorët e tyre, Roberta Walser, Yannick Schulze, Dr. Christian Steg, si dhe drejtori i Fondacionit Friedrich-Ebert në Kosovë, Frank Hantke.

“Juratovic dhe Kurti u pajtuan se ky pazar në tentativë midis presidentësh, vjen nga karakteri autokratik i pushteteve të këtyre dy presidentëve e që është edhe kundër demokracisë edhe kundër republikës. Prandaj, tani si kurrë më parë nevojitet një komunikim, koordinim dhe solidaritet mes partive social-demokrate në rajon dhe Evropë. Në fund të takimit palët shprehën gatishmërinë dhe interesin për thellimin e bashkëpunimit mes Partisë Social-Demokrate të Gjermanisë dhe Vetëvendosjes” , thuhet në njoftimin për media.

Sipas një njoftimi të LVV-së, Social-Demokratët nga Gjermania, deputetët së bashku edhe me të rinjtë social-demokratë, në kuadër të vizitës së tyre në rajon, u interesuan mbi zhvillimet e fundit politike dhe gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, si dhe shprehën interesim të veçantë të informohen rreth programit politik dhe angazhimeve të Vetëvendosjes.

“Gjatë takimit, Kurti shpalosi parimet dhe prioritetet programore të partisë të orientuara në shtetndërtim demokratik dhe zhvillim socio-ekonomik. Ai foli për domosdoshmërinë e luftimit të krimit e korrupsionit si për sistemin e drejtësisë ashtu edhe për investimet në ekonomi. Dhe, për rëndësinë e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, nevojën për forcimin e së majtës në Evropë dhe solidaritetin brenda saj, si rrugë të sigurt që mbron e ngrit BE-në”, citon njoftimi të ketë thënë Kurti.

Në trajtimin e zhvillimeve aktuale politike në Kosovë, mes të tjerash, Kurti thuhet të ketë theksuar se dialogu i Presidentit të Kosovës Thaçi me Presidentin e Serbisë Vuçiq për korrigjim të kufijve e shkëmbim territorial është i padrejtë, i dëmshëm qysh sot dhe i rrezikshëm në vijim.
Shtuar më 25/08/2018, ora 12:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori