Kur fëmija lind fëmijë: 34 të mitura u bënë nëna për nëntë muaj në Kosovë
Dy vajzamitura shtatzënë janë shtrirë në repartin e gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës javën që po lëmë pas. Por, ato nuk janë të miturat e vetme që do të bëhen nëna. Përgjatë këtij viti, 34 vajza kanë marrë statusin e nënës, ani pse në moshë të re.

Derisa bashkëmoshataret e tyre natyrshëm zgjedhin shkollimin, disa vajzamitura po zgjedhin tjetër rrugë për vetën. Martesën e hershme.

E numri i vajzave të cilat ende nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë, por janë bërë nëna nuk është i vogël.

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, 34 vajza nën moshën 17-vjeçare janë bërë nëna.

Këtë e ka treguar për Gazetën Express Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli.


“Nën moshën 17 vjeçe 24 vajza janë bërë nëna, nën moshën 16 vjeçe 8, nën moshën 15 vjeçe 1 dhe nën moshën 14 vjeçe po ashtu 1”, ka treguar Ismajli.

Ismajli ka theksuar se përgjatë nëntë muajve të parë të vitit 2019, në QKUK janë kryer gjithsej 7283 lindje.

“Numri i lindjeve deri në muajin shtator të vitit 2019 ishte: 7283 lindje, prej tyre 2477 lindën me prerje cezariane apo operacion. Kanë lindur 3454 foshnje të gjinisë femërore dhe 3919 të gjinisë mashkullore”, ka bërë të ditur Ismajli.

Vetëm gjatë javës që po lëmë pas, dy vajzamitura shtatzënë janë shtrirë në repartin e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Të hënën e kësaj jave, Policia e Kosovës ka njoftuar se është raportuar se në QKUK është shtrirë një vajzë e moshës së mitur nga Obiliqi e cila është shtatzënë.

Lidhur me këtë rast, është shoqëruar në stacionin policor i dyshyari i cili ka deklaruar se është duke bashkëjetuar me të miturën.

“Rr. Daut Hashani, Obiliq, 04.12.2019-09:20. Është raportuar se në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK është e shtrirë një femër e moshës së mitur K/Ashkalike dhe e njëjta është shtatzëne. Në lidhje me rastin është shoqëruar në stacion policor i dyshuari mashkull K/Ashkali i cili ka deklaruar se është duke bashkëjetuar me viktimën e lartcekur. Me urdhër të prokurorit lënda e rastit shkon në procedurë të rregullt”, thotë raporti.

E njëjtë si e mitura nga Obiliqi, në QKUK është shtirë edhe një bashkëmoshatare e saj me prejardhje nga Shqipëria, me vendbanim në Ferizaj.

Policia ka bërë të ditur se e mitura ka bashkëjetuar në Ferizaj me një person, ndërkaq rasti po cilësohet si “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç”.

“Raportohet se viktima femër (e mitur) ashkalike shtetase e Shqipërisë, ishte e shtrirë në QKUK në repartin gjinekologjik për të lindur fëmijë dhe se që dy vjet ishte duke bashkëjetuar në Ferizaj me të dyshuarin mashkull ashkali shtetas i Shqipërisë”, ka thënë PK’ja./GazetaExpress/
Shtuar më 08/12/2019, ora 18:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori