Serbia dhe qeveria po "hanë" Kosovën
Update- Protesta e Vetëvendosjes është mbyllur paqësisht të martën. Ndërsa kreu i kësaj lëvizje Albin Kurti ka ripërsëritur akuzat e tij ndaj qeverisë. Sipas tij, ndërkombëtaret e Serbia po e hanë Kosovën, ndersa Thaçi po u shërben atyre si kamerier e si kryekamerier.

“Kjo qeveri bashkë me Serbinë dhe qarqe të ndryshme ndërkombëtare e kanë vënë Kosovën jo në tryezë të bisedimeve, por në tryezë të ngrënies, aty ku e hanë Kosovën. Po e hanë Kosovën si pasuri publike, po e hanë Kosovën si territor dhe po e hanë Kosovën si buxhet të shtetit. Në këtë tryezë, në këtë restorant ku po e hanë Kosovën, kryeministri Thaçi shërben si kamerier. Dhe nëse e vëreni me kujdes, a e keni pas qysh duket si kryekamerier. Pra, në këtë restorant ku po e hanë Kosovën, kryeministri Thaçi shërben si kryekamerier ku ata e hanë Kosovën e këtij ia lënë ndonjë bakshish derisa ai iu zgërdhihet atyre”, ka thënë Kurti.

Kurti më tej ka thënë se bisedimet politike me Serbinë po e shkatërrojnë Kosovën, pasi që po përfiton vetëm Serbia.

“Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri prej 8 marsit të vitit të kaluar ia ka filluar negociatave me Serbinë për çështje teknike, neve na e ka lanë fusnotën, ndërkaq Serbisë e Tadiqit ia ka mundësuar statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian. Tash kryeministri Thaçi, ka filluar dialogun politik që po e quan normalizim të marrëdhënieve me Serbinë abnormale në mënyrë që Serbia të avancojë drejt BE-së ku pritet që të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Në njërën anë po ia jep Mitrovicën dhe veriun, ndërkaq në anën tjetër po ia bën më të shpejtë dhe më të lëmueshme rrugën për të ecë drejt BE-së”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe dialogu politik me Serbinë është emri i fitores së strukturave ilegale.

11:21 -Ashtu sikurse kishin njoftuar aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë të tjerë të Kosovës kanë nisur rreth orës 11:00 protesten në sheshin "Nëna Tereza".

Protesta sipas tyre është kundër dhunës qeveritare dhe shtetit policor në Kosovë. Ndërsa në duar ata mbanin pankarta ku shkruanin "Bashkimi me Shqipërinë, jo pazare me Serbinë"


09:21 -Lëvizja Vetëvendosje pritet të nisë sërish sot protestën në sheshin Nëna Tereza. Sipas VV në këtë demonstratë do të kundërshtohet njëzëri bisedimet me Serbinë që synojnë cungimin e Kosovës.


"Demonstrata paqësore, do të jetë një shprehje demokratike kundër dhunës së shtetit policor, që është shfaqur në mënyrën më brutale të mundshme të hënën në 22 tetor, po në sheshin Nëna Terezë. Aty do të protestojmë kundër egërsisë qeveritare, që buron nga frika e një kaste që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura, e që e ka keqpërdorur pushtetin në një mijë mënyra", thuhet në komunikatën për media të VV-së.

VV gjithashtu ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të rreth 60 protestuesve që u arrestuan sot nga ana e policisë së Kosovës. /albeu.com/
Shtuar më 23/10/2012, ora 14:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori