Kulmi i gripit, por Ramadani thotë se s'ka vend për panik
Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Hamdi Ramadani, në një intervistë dhënë Telegrafit me gazetaren Elfije Boletini ka folur për virusin e gripit, i cili është përhapur në këtë sezonë të dimrit, duke thënë se situata epidemiologjike nga virusi i gripit është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik.

Ramadani tha se në këtë Klinikë janë regjistruar diku 15 raste, të cilat raste kanë kaluar përmes shërbimit ambulatorë.


Sipas tij, dy nga këto raste janë në mjekim intensive për shkak të gjendjes së rënduar në të cilën janë.

“Në Klinikën Infektive, kemi të regjistruar diku 15 raste të pranuara apo të shtrira në klinikë, që kanë kaluar përmes shërbimit ambulatorë. Dy nga të cilat janë me mjekim intensiv dhe janë me peshë më të rënd me ndërlikime. Disa janë të moshës më të re dhe disa më të rritur. I kemi dy raste më të rënda, pasi e kanë sëmundjen më të avancuar. Këta janë nën kujdesin intensiv dhe janë duke i mbajtur me maskë asistuese. Shpresojmë që situata e tyre do të jetë jashtë rrezikut për jetë edhe pse rastin e kanë të rëndë”, ka thënë Ramadani, për Telegrafin.

Ai po ashtu tregoi se edhe vitin e kaluar ka qenë kjo patologji, ku numri i rasteve të regjistruara ka qenë 247.

“Edhe vitin e kaluar e kemi pasur këtë patologji. Në vitin e kaluar i kemi pasur 247 raste të dokumentuara”, u shpreh ai.

Dr. Hamdi Ramadani në intervistën për Telegrafin me gazetaren Elfije Boletini
Drejtori Ramadani theksoi se situata epidemiologjike është nën kontroll.

“Në kuadër të këtyre rasteve dy kanë përfunduar me vdekshmëri. Nuk ka nevojë për panik pasi situata është nën kontroll. E kemi ngrit stafin mjekësor me dy mjek më shumë, por nuk besoj që do të kemi fluks të madh të rasteve. E kemi një sëmundje epidemike të gripit, por sigurisht të lokalizuar”, tregoi ai.
Shtuar më 26/01/2019, ora 11:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori