Kthimi te “Porta e Lartë”
Pëlqej
nga Lavdim Hamidi

Pozita gjeopolitike e Turqisë duhet parë si një mjet për hapje graduale me botën dhe transformim nga ndikimi rajonal në atë global.

Kështu i kishte potencuar ambiciet globale të Turqisë, ministri i Jashtëm, Ahmet Davutogllu, në librin e tij të botuar para më shumë se një dekade me titull: “Strategic Depth- Thellësia Strategjike”, i cili në fakt doli të jetë shumë influencues në orientimin e politikës së jashtme turke.

Përpos synimeve që ka për pjesën tjetër të botës, qëllimi i Turqisë që disa vite është që të bëhet lojtar shumë i rëndësishëm në Ballkan, nëpërmjet Investimeve të Huaja Direkte (IHD).

Fillimisht mendohej se një synim i tillë nuk mund të jetë i realizueshëm për Ankaranë, për shkak se këtu për një periudhë të gjatë kohore dominojnë investimet evropiane dhe njëkohësisht procesi i integrimeve evropiane shihej si prioritet numër një në shtetet e Ballkanit. Për shkak të limiteve të tilla ekonomike dhe politike, Turqia nuk do të mundë ta zinte pozicionin e investitorit kryesor në rajon.

Mirëpo, vlerësimet e tilla shumë shpejt “ranë në ujë” pikërisht në shtetin më të ri të Evropës, liderët e së cilit në opinion vazhdimisht shiten si “kamikazë” të vlerave evropiane.

Përfundimisht, prej vitit të kaluar nuk janë investitorët gjermanë, anglezë, sllovenë, austriakë në krye të listës së investitorëve më të mëdhenj në Kosovë, mirëpo vendin e tyre tashmë e kanë zënë lehtësisht investitorët turq.

Për më keq, investimet gjermane gjatë vitit të kaluar kanë shënuar rënie drastike për më shumë se 56 për qind, njësoj siç kanë rënë edhe investimet nga Zvicra, derisa investimet turke janë rritur për 33 për qind.

Investitorët gjermanë po ikin nga Kosova për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit dhe për mosfunksionim të shtetit ligjor e jo sepse shteti nuk ka asete atraktive për ta. Shumë gjigandë gjermanë e evropianë ia kishin mësyrë tregut vendor, duke premtuar investime miliardëshe, por kur i panë kërkesat e zyrtarëve vendorë për korrupsion dhe për aksione në kompanitë e privatizuara u arratisën nga vendi.

Kërkesat e tilla ndoshta kanë qenë “normale” për disa investitorë turq, prandaj edhe asetet strategjike të vendit si: Aeroporti, distribucioni iu shitën kompanive turke.

Gjigandi për prodhimin e energjisë, jo vetëm në Gjermani, por edhe në Evropë, RWE, kishte ardhur vite më parë në Kosovë, duke shprehur interesimin e qartë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në vlerë prej 2 miliardë euro, mirëpo shumë shpejt u detyrua të largohet nga vendi, kur e panë qartë se zyrtarët kosovarë nuk janë të interesuar të kontribuojnë në zhvillimin e shtetit, por për përfitime personale.

Edhe “Deutche Telecom”, nëpërmjet Telekomit kroat, u tha se ishte tërhequr nga privatizimi i PTK-së, për shkak të korrupsionit.

Derisa investitorët gjermanë po tërhiqen nga tregu i Kosovës, apo s’po shohin interes për investime këtu, e kundërta po ndodh në Serbi.

Sipas një ankete të prezantuar vitin e kaluar nga ambasadori gjerman rreth 90 për qind e bizneseve gjermane që operojnë në treg do të investonin përsëri në Serbi, pasi që janë shprehur të kënaqura me ambientin biznesor.

Fundja, edhe kryeministri i këtij shteti, Aleksandër Vuçiq, një ish-zyrtar i lartë i Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit, muaj më parë deklaroi se Serbia vetëm përfitime mund të ketë nga Gjermania dhe investimet nga ky shtet.

Ky kthim i udhëheqësve kosovarë te “Porta e Lartë”, në të njëjtën kohë duke u larguar nga qendrat vendimmarrëse evropiane, ia ka zgjatur vendit rrugën drejt Bashkimit Evropian, të cilën e kalojnë shumë më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit./albeu.com/
Shtuar më 07/08/2014, ora 14:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori