Faktencheck: a maskohen mercenarët e Wagnerit si emigrantë?

Të frikësosh Poloninë – ky ishte me sa duket qëllimi i fundit i presidentit bjellorus Aleksandar Lukashenko dhe presidentit rus Vladimir Putin. Në një takim mes të dyve më 21 korrik në Shën Petersburg, Lukashenko shpjegoi se mercenarët e grupit rus Wagner të vendosur në vendin e tij “kërkonin të bëjnë një shetitje deri në Varshavë dhe Rzeshov”.

Politikanët polakë dhe media polake reaguan menjëherë. Edhe kryeministri polak Mateusz Moraviecki komentoi grupin Wagner, i cili mund të jetë në rrugën e tij drejt kufirit polak. Ai ka informacione se më shumë se njëqind mercenarë të grupit Wagner janë nisur në drejtim të luginës Suvalki, domethënë në pjesën e kufirit midis Lituanisë dhe Polonisë, që shtrihet nga enklava ruse e Kaliningradit në Bjellorusi.

Ndërkohë në internet po qarkullojnë informacione se mercenarët e Wagnerit tashmë po vijnë në Poloni pothuajse pa u vënë re.

A po futen mercenarët e Wagnerit si migrantë në Poloni?

Pohimet: “Mercenarët e Wagnerit po futen në Poloni si refugjatë e migrantë”, pohojnë disa përdorues në Twitter, për shembull, në gjermanisht dhe anglisht. Ata i referohen transmetuesit polak Polsat News, i cili raportoi për të. “Është e sigurt që në vend po hyjnë emigrantë të paligjshëm nga Bjellorusia, të cilët në fakt janë luftëtarë të Grupit Wagner”, shton një nga përdoruesit.

DW-Faktencheck: Nuk ka dëshmi të mjaftueshme!

Shkrimet në Twitter i referohen një interviste të transmetuesit polak Polsat News të publikuar më 28 korrik me politikanin opozitar bjellorus Pavel Latuschka, i cili jeton në mërgim në Varshavë. Por në këtë intervistë ai nuk flet si fakt për pushtimin e Polonisë nga mercenarët e Wagnerit që po kalojnë nga Bjellorusia dhe po futen në Poloni “nën maskën e emigrantëve”. Latushka thjesht bën supozime.

Në intervistë, ai thotë se tashmë mund të ketë disa mijëra mercenarë Wagner në Bjellorusi – dhe shton se mund të paramendohet “që planet e Lukashenkos dhe Putinit mund të jenë të drejtojnë mercenarët e Wagnerit të maskuar si emigrantë drejt kufirit me Poloninë për të provokuar një konflikt atje, në një vend të NATO-s”. Pra, ai flet për këtë thjesht në mënyrë hipotetike.

Ekipi i Latushkas e konfirmoi këtë me shkrim në një përgjigje për DW: “Z. Latushka nuk pretendoi se mercenarët e Wagnerit kanë hyrë në Poloni ‘të maskuar si emigrantë’. Nuk ka asnjë provë për këtë.”

Edhe Moraviecki komentoi mundësinë e maskimit të mercenarëve të Wagnerit si emigrantë

Kryeministri polak e komentoi këtë çështje më 29 korrik, gjatë një vizite në një fabrikë armatimi në Glivice. Ai bëri dy supozime për mercenarët Wagner në Bjellorusi. Për një gjë, Moraviecki tha: “Me sa duket ata do të përpiqen të pushtojnë edhe Poloninë duke u paraqitur si emigrantë të paligjshëm.”

Nga ana tjetër, mercenarët e Wagnerit “ndoshta” do të maskoheshin edhe si roje kufitare bjelloruse dhe “të ndihmojnë emigrantët e paligjshëm të hyjnë në territorin polakpër të destabilizuar Poloninë”.

Këto pretendime janë vetëm hamendje për të ardhmen, pa asnjë provë mbështetëse. Partia populiste e krahut të djathtë në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) tërheq vazhdimisht vëmendjen me pretendimet antimigrante.

Ndërkohë, ekspertët politikë thonë se kërcënimet e Rusisë dhe Bjellorusisë kundër Polonisë janë të inskenuara. Me kërcënimet e saj kundër shtetit të NATO-s, Rusia po përpiqet të zvogëlojë mbështetjen për Ukrainën. “Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në Poloni në vjeshtë. Si Putini ashtu edhe Lukashenko po përpiqen të ndikojnë në to, duke përfshirë edhe kërcënimet, në mënyrë që votuesit të lëvizin në drejtimin ‘e duhur’,” thotë Ryhor Nizhnikau, studiues i lartë në Institutin Finlandez për Çështjet Ndërkombëtare, në intervistën për DW. Pra, qëllimi është që Polonia të mos merret si shkas për futje në një luftë dhe “të parandalohet një luftë të tretë botërore”, shpjegon Nizhnikau.

Përfundim: Nuk ka asnjë provë që mercenarët e Wagner nga Bjellorusia “të maskuar” ose të maskuar si emigrantë janë futur në Poloni dhe e kanë pushtuar këtë vend. Edhe Latushka dhe Moraviecki bëjnë vetëm supozime.


Shtuar 3.08.2023 09:43