Kryeministri Haradinaj u prit nga ministri i Brendshëm i Francës, Christophe Castaner
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Paris, është pritur nga ministri i Brendshëm i Francës, Christophe Castaner, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.


Kryeministri Haradinaj, fillimisht e ka njoftuar ministrin Castaner, për të arriturat në vendin tonë, për përkushtimin e Qeverisë në forcimin e rendit dhe ligjit, zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane, zhvillimin ekonomik dhe synimin e Kosovës për t’u integruar në BE dhe në NATO.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave, si një hap tejet të rëndësishëm për vendin dhe në këtë frymë bashkë me ministrin Castaner ka nënshkruar letrën e qëllimit të mirë, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal.


“Kosova është palë serioze për partneritet dhe se me lëvizjen e lirë, vendet europiane fitojnë më shumë mundësi. Kosova i plotëson kushtet dhe Franca është partneri kryesor drejt përgjigjes finale për lëvizje të lirë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj falënderoi ministrin Castaner për ndihmën e vazhdueshme që Franca i ka dhënë vendit tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike, duke theksuar se në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të vendit, partneriteti i shtetit mik vazhdon të jetë i nevojshëm.

Ministri i Brendshëm i Francës, Christophe Castaner, konfirmoi mbështetjen e Francës në rrugën euroalantike të Kosovës.
Shtuar më 01/07/2019, ora 21:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori