Kritikat për Thaçin, për koncepte politike, jo për inate personale
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk kanë asgjë personale me kryeministrin Hashim Thaçi, i cili vazhdimisht është duke u kritikuar nga kjo lëvizje.
Në një intervistë për Epokën e Re, Konjufca ka thënë se të gjitha kritikat kanë të bëjnë me konceptet politike e jo me inate personale.

“Sa i përket kryeministrit Thaçi, ne nuk kemi personale me të, përpos konceptuale. VV është kundër koncepteve politike të tij, duke filluar nga Rambujeja, çarmatimit i UÇK-së, tash së fundmi negociatat me Serbinë, të cilat mendojmë se janë të dëmshme për Kosovën”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se kjo lëvizje nga themelimi i ka kritikuar partitë në pushtet.

Konjufca e ka akuzuar kryeministrin Thaçi, i cili sipas tij, është duke e personalizuar çdo gjë, duke përfshirë edhe çështjen e veriut.

Sipas nënkryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, gjendja në veri është duke u përkeqësuar dita-ditës, pavarësisht pranisë së KFOR-it. Ai ka thënë se integrimit i veriut nuk mund të bëhet me EULEX-in apo KFOR-in, por duke bashkëpunuar me disa shtete mike të cilat e përkrahin fuqishëm integritetin territorial të Kosovës.

Konjufca gjithashtu ka akuzuar edhe partitë opozitare, që sipas tij, po bëhen “argate” të Qeverisë sa i përket veriut dhe dialogut me Serbinë.

Ai i ka komentuar edhe deklaratat e ambasadorit francez Jean Francois Fitou drejtuar Vetëvendosjes, duke i konsideruar si personale.

Ndërkohë, ka folur edhe për mospajtimet e deputetes Alma Lama karshi politikave vendimmarrëse të kësaj lëvizje.

“Deputetja Alma Lama nuk është pjesë e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk mund të jetë pjesë e vendimmarrjes në parti, ashtu sikurse nuk mund të jem as unë sepse jam vetëm deputet. Kështu thotë statusi i kësaj lëvizje për të cilin jemi pajtuar që të gjithë. Alma është shumë pak pjesë e diskutimeve në lëvizje... Kritika mund të ketë brenda VV-së dhe të cilat ia themi njëri-tjetrit, por duke mos dashur të bëjnë karrierë mediale nëpërmjet këtij mjeti”.
Shtuar më 01/11/2011, ora 09:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori