Krishtlindjet, Vetevendosje uron besimtaret e krishtere
Me rastin e festës së Krishtlindjeve, lëvizja Vetëvendosje ka uruar besimtarët e krishterë për më shumë besim dhe shëndet. Sipas VV, Krishtlindja shënon fillimin e një jete historike kaq domethënëse. Një histori e rezistencës dhe sakrificës, e universales dhe komunitetit, e mëshirës dhe e arsyes, e dijes dhe e durimit. Për secilën prej tyre le të mendojmë sot.



"Kjo datë vjen ndër ne me një mesazh të veçantë porse të rëndësishëm për komunitetin dhe për individin. Kjo datë sipas traditës së krishterë, përcjell metaforën e lindjes së shpresës tek e ardhmja dhe shënon shfaqjen në horizontin njerëzor të yllit të ndryshimit rrënjësor. Ky yll biblik, i ndjekur nga dijetarët e urtë, lajmëroi lindjen e Krishtit, si njeriu që mishëron në vetvete shpagimin e shpëtimin e një populli të shtypur.

Historia tokësore e perëndisë që u bë njeri, na rrëfen një histori me moral politik të vlerësueshëm e të vlefshëm edhe sot. Na rrëfen udhën e birit të së resë, që e lë pas të shkuarën, si dhe shpirtin e drejtë të atij që nuk hezitoi të kritikojë e të kundërshtojë pushtetin shtypës, si të romakëve, ashtu edhe të farisejve vendas, që bashkëpunonin për të ruajtur sundimin e tyre dhe për t’i zgjatur jetën pushtuesit. Ndjekësit e kësaj udhe, ata më të varfrit, më të vuajturit e më të shtypurit, së bashku nuk hezituan të godisnin edhe fizikisht, në tempullin e Jerusalemit, korrupsionin dhe degjenerimin e atyre sarafëve e tregtarëve që e përdorën pushtetin dhe fetarinë për të mbushur xhepat e tyre. Ky bir i të resë me predikimet e tij dha shembullin e mirësisë, por edhe të rreptësisë ndaj padrejtësive duke u shndërruar në një ideal të mospajtimit me të pavërtetën, dhe të denoncimit të poshtërsisë për të cilat luftoi deri në fund, duke organizuar pasuesit e tij, deri në ditën e sakrificës finale", thuhet ne urimin e VV. /albeu.com/



Shtuar më 24/12/2012, ora 16:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori