Krimi dhe korrupsioni po shkatërrojnë Kosovën
Krimi dhe korrupsioni, në dy vitet e fundit të qeverisjes nga PDK-ja dhe Hashim Thaçi, po e shkatërrojnë Kosovën. Kështu është shprehur përfaqësuesi i LDK-së Arben Gashi gjatë prezantimit të një analize të bërë nga ekspertët e LDK-së, sa i përket sundimit të ligjit.


LDK, sipas tij, ka analizuar me kujdes të gjitha ngjarjet e ndodhura dhe ka përmbledhur në një raport aferat korruptive të qeverisë Thaçi si afera në Ministrinë e Punëve të brendshme me pasaportat biometrike, duke konkluduar se kjo është shumë e rëndë për qytetarët e Kosovës. Kjo aferë korruptive prej 1.4 milion euro, sipas Gashit, ka shkaktuar humbjen e identitetit dhe krenarisë së qytetarëve të vendit, duke ua vështirësuar në shkallë të madhe mundësinë e lëvizjes së lirë.

LDK në listën e keqpërdorimeve të kësaj Qeverie ka radhitur dhe keqpërdorimin me municione dhe armatime të Policisë së Kosovës, aferë kjo e cila, sipas tyre, ka rrezikuar jetën e policëve dhe humbjen e miliona euro për buxhetin e Kosovës, shkruan Express.

Në analizën e LDK-së përmendet dhe vjedhja në dhomën e dëshmive si një rast i korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe arrestimi për korrupsion i udhëheqësit të Task Forcës speciale të emëruar nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, gjë që, sipas tyre, përben skandal të llojit të vet.



“Aferat korruptive në të gjitha ministritë me radhë, kanë bërë që vendi të kualifikohet nga partneret ndërkombëtar si një vend i zhytur në krim dhe korrupsion. Pronto afera ku kryeministri i vendit përgjohet nga institucionet ndërkombëtare të sundimit të rendit dhe ligjit, është kulmi i deskriditimit dhe përfaqësimit të korrupsionit të kësaj Qeverie dhe këtij kryeministri sepse kjo logjikë dhe ky mentalitet janë identiteti i tyre i vërtetë”, ka thënë Gashi.
Shtuar më 27/01/2013, ora 17:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori