Krijimi i institucioneve javën e ardhshme, PAN'i optimist
Pëlqej
Nga koalicioni PDK-AAK-Nisma janë optimist se java e ardhshme mund të jetë me zhvillime pozitive për krijimin e institucioneve të reja.

Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë për lajmi.net se kjo mund të ndodhë pasi ka pasur reflektim të një spektri politik parlamentar.

“Java që po vjen dhe reflektimi pozitiv i një pjese të spektrit politik parlamentar, besojmë që do të jetë me zhvillime pozitive në kuptim të bërjes së institucioneve të reja”, ka thënë deputeti i AAK-së.

Lekaj ka deklaruar se disa parti duke aluduar në VV-në dhe LDK-në e kanë shfrytëzuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke vonuar sipas tij qëllimshëm zgjedhjen e qeverisë.

“Ata kanë dashtë që duke shfrytëzuar një “pikë” të dobët në këtë drejtim atë të refuzimit të kandidaturës së koalicionit tonë për kryetar Kuvendi, kanë vonuar qëllimshëm zgjedhjen e qeverisë dhe vazhdimin e punëve të shumta që e presin Kosovën. Pra nuk e kanë pasur as më të voglën përgjegjësi që ta ndihmojnë procesin duke mos pranuar se kryetari i Kuvendit i takon PAN-it”, ka thënë Pal Lekaj.

Deputeti i PAN-it ka thënë se këto parti kanë dashur që të përfitojnë në aspektin elektoral, por që e kanë dëmtuar të ardhmen e vendit.

Enver Hoxhaj ditë më parë në seancën e Kuvendit deklaroi se koalicionit PAN i duhen afro dy javë për t’i siguruar votat për kryetarin e Kuvendit.

Ndërsa kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj ka thënë vazhdimisht se votat për qeverinë i ka të siguruara. /ekspress.com/
Shtuar më 03/09/2017, ora 12:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori