Krasniqi: Gati të formoj parti të re
Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, i cili muajt e fundit doli si dissident nga partia e tij, thotë se struktura e re e Partisë Demokratike të Kosovës po i mbyt intelektualët me autoritarizëm dhe injorancë. Duke e humbur rrugën në mes, për të qenë parti substanciale në Kosovë, PDK, sipas Krasniqit, e ka humbur ekuilibrin politik, prandaj për këtë arsye së bashku me Fatmir Limajn dhe disa të tjerë ka ndarë mendjen të formojë një parti të re politike.

Në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, ai thotë se është bërë gati për të formuar një parti të re, ku do të dominojë vlera demokratike dhe jo zëri i liderit totalitar, siç është në PDK. Jakup Krasniqi thotë se i dhimbset largimi nga PDK, por është rruga e vetme për të përmbushur boshllëkun politik. Megjithatë, sekretari i deridjeshëm i përgjithshëm i PDK-së, thotë se nuk e ka në agjendë të shndërrohet në një kamikaz për ta djegur veten dhe për ta dëmtuar PDK-në, por thekson se, politika ka edhe arsyet e veta. Duke iu përgjigjur Ramë Bujës, i cili patë thënë se, Limaj dhe Krasniqi po vetëdigjen, Krasniqi thotë se do të ringjallet si feniks.

“Sipas fjalëve të tij, njerëzit disa herë kanë menduar se kam marrë vendime të gabuara dhe se jam djegur, por unë kam fituar. Nuk i kuptoj ata njerëz që dje për Kosovën kanë rrezikuar gjithçka dhe sot e bëjnë të kundërtën, e sakrifikojnë Kosovën për veten, për interesat meskine”,-thotë Krasniqi. Në intervistë ai shprehet edhe kundër lidhjeve të forta me Ankaranë. Ish-sekretari i përgjithshëm i PDK-së sqaron se nuk do t’u bashkohet partive të tjera, sepse shumica e tyre, sipas tij, kanë synim vetëm zhvatjen e buxhetit dhe qeverisjen.
Shtuar më 02/10/2013, ora 10:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori