Krasniqi: Rruga drejt zgjedhjeve
Pëlqej
Jakup Krasniqi, Foto: Koha
Mocioni që do të hidhet ditën e sotme në votim, është i rregullt. Nëse së paku 61 deputetë e votojnë, unë do ta procedoj shumë shpejt shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës për zgjedhje të jashtëzakonshme. Pjesa e parë e dhjetorit është më e përshtatshmja për zgjedhje, ka thënë ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi.

Në një intervistë për Gazetën Express, Krasniqi ka thënë se buxheti dhe Strategjia për PTK-në votohet në Parlamentin e ri.

“Kjo çështja e mocionit është e paraparë edhe me Kushtetutë, por edhe me rregullore të Kuvendit. Mocioni që do të votohet të martën, është i nënshkruar nga 40 deputetë, gjegjësisht nga një e treta e deputetëve. Kushtet pra janë të plotësuara për këtë mocion që e ka iniciuar Grupi Parlamentar i AKR-së dhe i mbështetur nga deputetë të grupeve tjera. Seanca është paraparë të fillojë në orën 12:00. Por, paraprakisht do të mbajmë edhe një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, ku do të marrin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare dhe do të bisedojmë se si do ta procedojmë këtë çështje”, citohet të ketë thënë Krasniqi.

Ushtruesi i detyrës së presidentit ka pohuar se nëse mocioni kalon ashtu siç është paraparë nga parashtruesit e tij dhe nëse për të votojnë së paku 61 deputetë, atëherë vijnë procedurat e tjera.

“Ndoshta është mirë të sqaroj se ky mocion ndodh sipas pikës kushtetuese ku flitet për Kuvendin dhe në fund të këtij kapitulli, në Nenin 82 parashihet se nëse mocioni i mosbesimit mbështetet nga 61 deputetë, atëherë nuk ka më procedura të tjera në Kuvend. E vetmja procedurë mbetet shpërndarja e Kuvendit dhe caktimi i datës për zgjedhje. Edhe kjo bëhet sipas kohës më së paku 30 ditë, e më së shumti 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit”, u shpreh Krasniqi.
Shtuar më 02/11/2010, ora 11:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori