Krasniqi rrëfen vështirësitë e furnizimit të UÇK-s me armë: Thaçi, sherrbudalli i katundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Florin Krasniqi, ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin Pressing Zgjedhor në Televizionin 7.

Krasniqi ka rrëfyer shumëçka duke filluar nga organizimet e hershme të luftës, sjellja e armëve nga Shtetet e Bashkuara për në Kosovë, vrasjen e Ilir Konushevcit, dhe se çka mendon për Hashim Thaçin dhe financimin që ia ka bërë Vetëvendosjes, shkruan Gazeta Express.

Krasniqi ndër të tjera në emision ka folur edhe për transportimin e armëve nga SHBA-ja në zonat e luftës në Kosovë. Ai thotë se armët i kishin transportuar me aeroplanë prej aeroporteve të SHBA-së.

“Armët i transportuam me aeroplanë. Ne kishim licencat e gjuetarëve për t’i transportuar ato”, tregoi Krasniqi.

“Më kujtohet një rast kur na zunë armët në Milano, jo më falni ishte në Zvicër. Aty na ndaluan dhe nuk na lejuan të shkonim tutje. U detyruam t’i gënjenim duke u thënë se i kishim armët për gjueti dhe që nga Tirana po shkonim në Tanzani të gjuanim elefantë”.

Tutje ai tregoi se diku 72 tonë armë i kishin sjellë gjithsej në Kosovë.

Ai ka treguar përvojat e tij gjatë luftës në Kosovë, kur ai e ka financuar dhe i ka dërguar armë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi thotë se UÇK-ja nuk ka qenë aspak e organizuar dhe ka qenë shumë amatore, ndërsa thotë se disa komandantë as nuk kanë bërë luftë.

Ai e ka përmendur Xhavit Halitin, për të cilin ka thënë se në tri vjet të luftës ka qëndruar më shumë në hotele.

“Në vitet ’96, ’97, ’98, Xhavit Haliti, sabah e aksham rrike në hotel. Çfarë lufte është kjo. Ashtu as biznesin nuk e bon. Kjo ka qenë amatoreske dhe qesharake”, ka thënë Krasniqi në Pressing.

Ai ka thënë se “ne s’kemi bërë luftë, por vetëm kemi mbijetuar” dhe se bota deri në intervenimin e NATO-s është tmerruar me gjendjen e shqiptarëve të Kosovës.

Krasniqi ndër të tjera ka folur edhe për heroin kombëtar Ilir Konushevci, i cili ishte vrarë gjatë kohës së luftës në rajonin e Tropojës.

“Ilir Konushevcin e kam dashur shumë dhe kam besu në të”, ka thënë Krasniqi.

“Ai ka qenë njeriu që më ka bë me besu që ka komandantë. Ka qenë i urtë dhe i besueshëm”.

Tutje ai ka folur edhe për vrasjen e tij.

“Nuk mendoj se është vra nga serbët. Njerëzit munden me fol gjithçka. Krejt provat janë me zbardhë rastin. Hazir Mala ma i mirë që kam njoft unë. Edhe Sali Berishën ai e ka çu në fakultet se ai ka qenë djalë i dëshmorit”.

Krasniqi, i cili kishte ndihmuar që të grumbullohej armatim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për luftën çlirimtare në Kosovë, ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se Thaçi s’ka tipare udhëheqësi.

“S’ka lidership Thaçi”, ka deklaruar Krasniqi, teksa ka vazhduar t’i numërojë ato që ai i sheh si të këqija të Thaçit: “Ai fol për dikë me rrotulla…”.

“Është sherrbudallë i katundit”, është shprehur Krasniqi në T7. “Vetëm i është dhënë rasti të vijë aty ku është”, ka shtuar ai.

Presidenti i vendit ka vetëm “patriotizëm burimor”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, Thaçi s’ka “as njohuri të çështjeve ndërkombëtare, as bindje filozofike e ideologjike”.

Krasniqi deklaroi për herë të parë se e ka financuar Vetëvendosjen për rreth tri vjet para se ajo të hynte në Kuvendin e Kosovës.

“Për çdo muaj për dy vjet e gjysmë i kam dhënë para Vetëvendosjes, para kyçjes time në VV”, ka thënë Krasniqi.

Ish-deputeti i VV-së ka treguar pse e ndihmoi dhe e financoi Lëvizjen e Albin Kurtit.

“I shihja që duhet të ketë një element radikal. Të huajt duhet ta kuptonin se të rinjtë nuk durojnë më”, ka thënë Krasniqi.

Ai tutje ka treguar se ka pasur raporte të mira me Kurtin dhe se atë e ka vizituar në burg pas demonstratave të organizuara nga VV-ja në 2007.

“Albinin e kisha kontakt në VV. Me William Walker e kemi taku në burg Albin Kurtin pas mesnatës. Albini kur hyn në burg është më shumë krenar se sa në politikë. Po i thonim se vendi është në rrezik të luftës civile dhe se duhej të mendonte të organizonte demonstrata paqësore”, ka thënë Krasniqi.
Shtuar më 03/10/2019, ora 09:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori