Krasniqi: Nëse sulmi do realizohej Beogradi do akuzonte "islamistët ekstrem"
Deputeti i NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi ka përshëndetur dhe vlerësuar aksionin e Policisë së Kosovës për parandalimin dhe arrestimin e shtetasit serb Sllobodan Gavriç, i cili lëvizte në Prishtinë me disa kilogramë lëndë eksplozive.

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehet se nëse sulmi terroristë do të realizohej atëherë Beogradi do të akuzonte "islamistët ekstrem". /albeu.com/

Reagimi i plotë i Jakup Krasniqit:

Me shkas

As sot nuk ka ndryshuar politika e Beogradit ndaj Kosovës. Tani mund te priten përpjekje të reja për sulme terroriste. Kujdes nga politika e “re” serbe ndaj Kosovës. Inferioriteti i palës kosovare duhet të ndërpritet, përderisa nuk ndryshon politika zyrtare e Beogradit ndaj Kosovës. Përpjekja e një serbi për sulm terrorist duhet analizohet seriozisht. Rastësisht po te kryhej sulmi terrorist, Beogradi zyrtar i pari do t’i akuzonte “islamistet ekstrem” dhe kjo do te dukej si e saktë?!Prandaj në ketë rast duhet vlerësuar lartë aksionin parandalues te Policisë se Kosovës.

Kështu, si më poshtë, pata shkruar në prag te Bisedimeve të Vjenës.

Shkrimi botohet më fare pak ndryshime.(Fragment nga libri: Kosova në Kontekstin historik)

Beogradi duhet ta ndërprenë çdo formë të ndërhyrjes në jetën e brendshme të Kosovës

Nga Jakup Krasniqi

Gjatë më shumë se një shekulli, politika e ekspansionizmit serbë arriti me politikën e dëbimit, me dhunë e zjarr ta kolonizoj e shkombëtarizoj Shqipërinë ne Toplicës, arriti që territorin e Kosovës prej rreth 30.000 km2, t’ia lënë në 10.878 km2. Për gati 100 vjet nuk arriti ta bind qytetarin serb për të lënë shtëpi e katandi në truallin e vetë e për tu vendosur si kolonistë në Kosovë në pronat e huaja, nuk arriti ti dëboj shqiptarët, nuk i pranoi shqiptarët si qytetarë të barabartë me të tjerët, nuk arriti të ndërtoi administratë demokratike për ti integruar shqiptarët në jetën politike, publike e shoqërore, nuk arriti të njoh e pranoi kulturën e traditën e tonë kombëtare, nuk afroi asnjë perspektivë për jetë, nuk krijoj në asnjë kohë të sundimit ndjenjën e sigurisë për jetën, familjen e pasurinë. Asnjë formë e sundimit shoqëror serb, as e tipit borgjez, mbretëror a demokratik, as rendi shoqëror socialiste edhe pse kishte premtuar shumë, as ndryshimet demokratike në Evropën Lindore në vitet ’90-ta, nuk krijuan hapësirë demokratike për jetë normale. Tranzicioni që filloj në Evropën Lindore, në vendet ish komuniste, që hapi perspektiva demokratike për gjithë popujt e atyre vendeve, për popullin e Kosovës, filloj epoka e gjenocidit dhe e pastrimit etnik, filloj një jetë në kushte tepër të rënda, krijoj bindjen se e vetmja perspektiv ishte lufta çlirimtare, dhe ajo ndodhi.
Përmbi 150 vjet, politika serbe hartoi plane, programe, elaborate e memorandume, duke filluar nga “Naçertania” e Ilia Garasheninit, Bora Gjorgjeviqit, Ivo Andriqit, Vasa Cubrilloviqit, Ivan Vukotiqit, Svetan Moleviqit e deri të Memorandumi i ASHAS55 me Dobrica Qosiqin e S.Millosheviqin në krye. Të gjitha këto dokumente përbëjnë vizionin e politikës së vjetër e të re serbe për Serbinë e Madhe, për Serbinë e pastër etnike. Nga politika e tokës së djegur, nga politika e vrasjeve masive, nga politika e dëbimeve, nga politika e gjenocidit dhe e pastrimit etnik, nuk janë liruar as pasardhësit e kriminelit S. Millosheviq. Politika e pastrimit etnik që kanë udhëhequr pushtetarët serbë të kohërave të ndryshme, nuk janë udhëhequr nga politika e miteve, por mitet janë krijuar për të “arsyetuar” vizionin serb për Serbinë e Madhe56. Distancimi nga politika tradicionale serbe, nga politika e shfarosjes, e krimit dhe e pastrimit etnik, duhet të jetë kusht edhe për bisedime të natyrës teknike më palën serbe.
Politika serbe, duhet të bindet një herë e mirë, se në kontinuitet, ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, gjatë dy shekujve ka udhëhequr politikë të dëbimit deri në pastrim etnik, kulmi është arritur në vitet e ’90-ta, kur është detyruar të ndërhyjë edhe Bashkësia Ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Kjo tregon, se Serbia në asnjë kohë nuk ka arritur të legjitimoj e as të ushtroj ligjërisht sovranitetin mbi Kosovën dhe qytetarët e saj. Ai sundim në të gjitha kohet, në të gjitha përmasat në Kosovë ka qenë i paligjshëm.

Dëmet që i kanë bërë këto regjime, gjatë pushtimit gati 100 vjeçar po të ktheheshin në euro do të bënin mbi njëqind miliardë euro. Shqiptarët e Kosovës janë të bindur së qeveritarët serbë të Beogradit, kurrë nuk do të kenë aq mjete sa ti paguajnë dëmet që ia kanë shkaktuar gjatë shekujve XIX e XX, por ata duhet t’ia kthejnë dëmet e luftës së fundit, duhet t’ia kthejnë Fondet e plaçkitura që arrijnë në miliona euro, duhet ta ndërprenë çdo formë të ndërhyrjes në jetën e brendshme të Kosovës e të qytetarëve të saj. Qeveritarët e Beogradit, duhet ta kuptojnë, sa më herët aq më mirë, se me drejtuesit politik dhe institucional të Kosovës mund të bisedojnë për kthimin e paqes në tërë rajonin tonë. Normalizimi i marrëdhënieve është interes i dy anshëm.

Edhe pas S. Millosheviqit, politika serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, në asnjë segment të jetës nuk ka bërë asnjë ndryshim përmbajtjesor. Ajo është duke ecur gjurmëve të udhëheqësve nacionalistë. Ndarja e Kosovës nga Serbia nuk ka pasur alternativë tjetër. Kosova për qytetarët serbë i ka pranuar të gjitha kushtet që kanë kërkuar standardet evropiane, bile dhe i ka tejkaluar ato. Ndërsa, në Serbi të drejtat e komuniteteve pakicë si edhe e shqiptarëve në Kosovën Lindore veç sa janë përkeqësuar, edhe pse Serbia në krahasim me Kosovën ka avancuar në rrugën e integrimeve evropiane?!

Asnjë nga këto të drejta që i përmendem më lartë, që ne u ofrojmë qytetarëve serbë të Kosovës, në asnjë kohë të sundimit serb, pa marrë parasysh se cila formë e sundimit politik ka qeverisur në Beograd, cilido rend shoqëror ka qenë në fuqi atje, monarkist, kapitalist, socialist apo post komunist a post millosheviqist, nuk kanë pasur gatishmëri për mbi 100 vjetet e sundimit të hapësirave shqiptare të na ofrojnë drejtësi e barazi si qytetarëve serb të Kosovës, të Serbisë a të Jugosllavisë. Ata kanë qenë të përgatitur vetëm për të na ofruar politikën e programuar të shfarosjes, të dëbimit dhe të mohimit të çdo gjëje shqiptare, të çdo gjëje jo serbe. Ka qenë politikë e ndarjes me çdo gjë njerëzore e me gjithë botën e qytetëruar. Prandaj, presioni, detyrimi, ndëshkimi e dënimi duhet të bie mbi ata që vazhdimisht kanë shkelur vlerat e civilizimit, të drejtat dhe liritë e njeriut. Duhet të dënohen në rend të parë vizioni serb mbi shtetin e madh dhe etnikisht të pastër ata që kanë udhëhequr politik të programuar për realizimin e shfarosjes, dëbimit deri në pastrim etnik dhe ata që kanë ekzekutuar këtë politik. Adresa e asaj politike tanimë është e njohur: është në Beograd".
Shtuar më 27/12/2014, ora 13:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori