VIDEO/ Vidhnin nëpër biznese, arrestohet 18-vjeçari në Tiranë, nën hetim bashkëpunëtorët e mitur

Policia e Tiranës ka arrestuar një 18-vjeçar dhe ka nisur hetimin për dy shttas të mitur. Të tre adoleshentët akuzohen se janë autorë të disa vjedhjeve në biznese të ndryshme në kryqytet.

Sipas policisë në kuadër të operacionit policor të koduar “Cleaning” u bë arrestimi i shtetasit M. B., 18 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”. Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë dy të mitur të moshave 15 dhe 17 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer disa vjedhje, gjatë javëve të fundit, në disa biznese në Tiranë. 4 prej këtyre vjedhjeve janë dokumentuar me prova ligjore, konkretisht:

– Më datë 21.04.2023 kanë vjedhur shuma të ndryshme parash, në një market, në rrugën “Brigada e VIII”;

– Më datë 26.04.2023 kanë vjedhur shuma të ndryshme parash, në një market, në rrugën “Fejzi Hizmo”;

– Më datë 27.04.2023 kanë vjedhur shuma të ndryshme parash, në një market, në rrugën “Bab Rexha”;

– Më datë 28.04.2023 kanë vjedhur shuma të ndryshme parash, në një piceri, në rrugën “Teodor Keko”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të cilat dyshohet se autorët i kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/


Shtuar 29.04.2023 10:55