Krasniqi: Fatkeqësisht, politika e Serbisë nuk ka ndryshuar
Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi duke komentuar arrestimin e dy policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe, ka thënë se kjo po tregon edhe njëherë se politika e regjimit të Beogradit nuk ka ndryshuar esencialisht dhe ky nuk është një problem që i kalon përmasat e institucioneve të Kosovës, por edhe të faktorit ndërkombëtar, shkruan Gazeta Express.

Ai ka kërkuar informacione më të detajuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa ka thënë se është në dorën e shefave të grupeve parlamentare a dëshirojnë të mbajnë një seancë për këtë çështje apo jo.

Të hënën, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Krasniqi në një konferencë për media, ka thënë se ajo që është parë në media është një sulm i shtetit serb në hapësirën e Kosovës, për të cilën gjithë institucionet e Kosovës, në mënyrë të veçantë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, duhet ta studiojnë dhe të informojnë në detale për atë zhvillim.

Duke folur për këtë akt të Serbisë, Krasniqi ka thënë se kjo po tregon se politika e Serbisë esencialisht nuk ka ndryshuar.

“Duhet të themi se ishte një akt që tregon edhe njëherë se në politikat e regjimit të Beogradit nuk kanë ndryshuar asgjë esencialisht dhe kjo sigurisht nuk është problem vetëm i institucioneve të Kosovës, ky është një problem që i kalon përmasat e institucioneve të Kosovës dhe me këtë duhet të merret edhe komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Krasniqi. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2012, ora 14:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori