Krasniqi: EULEX-i të tërheqë fletë-arrestin ndaj Limajt
Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Jakup Krasnqi, ka thënë se prokurorët e EULEX-it, duhet ta tërheqin fletë-arrestin për deputetin Limaj, pasi sipas tij, ai fletë-arrest është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Realisht, fletë-arresti duhet të tërhiqet, se ai bie në kundërshtim edhe me Kushtetutën, edhe me ligjet. Ndërsa, sa i takon imunitetit, deputeti ka imunitet që të mos arrestohet dhe të ndalet, po deputeti nuk ka imunitet për t’u zhvilluar procedurë hetimore ndaj tij”, ka thënë Krasnqi.

Edhe avokati mbrojtës i deputeti Limaj, Tomë Gashi, ka thënë se tashmë vetë ky mision e ka kuptuar se ka lëshuar një fletë-arrest në mënyrë jo ligjore.

Gashi ka thënë se konsideron që ky rast, më së miri do të zgjidhej sikur EULEX-i, ta tërhiqte fletë-arrestin.

“Juridikisht besoj që çështja më së miri zgjidhet nëse EULEX-i e tërheq fletë-arrestin dhe pastaj, procedura vazhdon në mënyrë normale. Imuniteti i deputeti Limaj nuk parandalon EULEX-in dhe asnjë mision tjetër të zbatuesve të ligjit që të hetojë rastin, të cilin e kanë hapur të themi ashtu, por e parandalon arrestimin dhe ndaljen e tij”, ka vlerësuar Gashi.

Avokati Gashi ka shprehur mendimin se misioni i EULEX-it, nuk do të rrijë në një vend rreth kësaj çështjeje, por, sipas tij, ata duhet t’i respektojnë edhe ligjet e vendit.

“Nëse tërhiqet fletë-arresti, i cili është ende aktual, atëherë edhe nëse ndodhë ndonjë akuzë pas përfundimit të hetimeve, detyrimisht Kuvendi i Kosovës, do të vendosë lidhur me imuniteti e zotit Limaj. Por, deri atëherë, nuk do të ketë kurrfarë arsye ligjore që të merren me këtë çështje juridike”, ka deklaruar Gashi.

Gashi ka thënë se çështja e imuniteti të deputetit Limaj, nuk ka shkuar në Kuvendin e Kosovës dhe as që do të shkojë, pasi që, sipas tij kjo nuk mund të ndodhë ashtu siç e ka paramenduar dikush nga zyrtarët e EULEX-it. /albeu.com/
Shtuar më 21/03/2011, ora 16:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori