Krasniqi apel Mustafës: Hiq dorë nga shantazhi e joshja ndaj opozitës
Deputeti i "NISMA për Kosovën", Jakup Krasniqi i ka bërë thirrje kryeministrit Isa Mustafa të punojë në mënyrë që të ndalë ikjen e qytetarëve të Kosovës dhe të mos punojë për blerjen e opozitës.

Ish kryetari i Kuvendit ka apeluar që të ndalet shantazhi, kërcënimi e joshja ndaj opozitës.

"Duhet t’i orientojnë në krijimin e kushteve, për ndaljen e trendit te ikjes se qytetarëve nga Kosova. Kjo është çështja kryesore sot", shkruan Krasniqi në profilin e tij në Facebook. /albeu.com/


Reagimi i plotë i Jakup Krasniqit në Facebook:

KRYEMINISTËR PËRQENDROU NË QEVERISJEN E VENDIT

Ditë më parë, Nisma për Kosovën i tregoj opinionit të gjerë, se qeveria e Kosovës së varfër, ka kabinetin më të madh qeveritar në Evropë, se po përgatitet të ketë një numër enormë te zv.ministrave, numër që nuk e gjënë në asnjë kabinet tjetër qeveritar ne boten demokratike?!.

Se nga kjo përbërje e Kabinetin qeveritar do te shpenzohen shuma të mëdha të parasë publike. Është e qartë, shteti ynë nuk e ka luksin të shpenzoi shuma të mëdha të parasë publike për salltanetet e qeveritarëve të shumtë e të panevojshëm. Situata ekonomike dhe politike në vend, e sidomos ikjet e qytetarëve për një jetë më të sigurt e të dinjitetshme, është duke trokitur fuqishëm në ndërgjegjen e çdo qeveritare (te koalicionit të madh qeverisës), për një qeverisje ekonomike në shërbim të qytetarëve, në mënyrë që atyre tu kthehet shpresa dhe besimi i humbur me të drejtë, tek njerëzit që po qeverisin me Kosovën.

Është në obligimin e këtij koalicioni qeverisës që një herë e mirë t’i depolitizoj te gjithë shërbimet publike (arsimin, shëndetësinë e policinë) dhe administratën shtetërorë, nga politizimi i skajshëm, pasi Kosova dhe buxheti i saj është i te gjithë qytetarëve të Kosovës e jo vetëm i fanatikëve te partive politike te koalicionit (shpeshherë pa përgatitjen e duhur intelektuale e profesionale). Kështu ky koalicion qeverisës duhet ta ndërpres çdo formë të shantazhit, kërcënimit dhe joshjes se njerëzve të opozitës për vende te punës (zv.ministra e diplomaci). Ata duhet ta ndërprenë çdo formë te pazareve për blerjen e njerëzve te opozitës me parat publike! Me këto veprime, ju edhe mund ta zgjidhni problemin e ndonjë profiteri apo edhe hallin e ndonjë individi, por kurrë jo problemet që jeni te thirrur t’i zgjidhni, pasi ato janë tepër komplekse për rezonin tuaj politik, intelektual, atdhetar e profesional.

Qeveritarët e koalicionit qeverisës, gjithë angazhimin e tyre politik, gjithë angazhimet e parasë publike, gjithë përgjegjësitë e tyre profesionale, intelektuale e politike duhet t’i orientojnë në krijimin e kushteve, për ndaljen e trendit te ikjes se qytetarëve nga Kosova. Kjo është çështja kryesore sot! Ky është obligimi i tyre kushtetues, ligjor e përfaqësues. Natyrisht që ky trend nuk ndalet pa politika të qarta programore e zhvillimore, te cilat po i mungojnë Kosovës që 15 vjet. Ne këto politika duhet të përqendrohet Kryeministri dhe vartësit e tij te koalicionit, e jo në pazaret e cekura politike (pazare xhambazësh), pasi ato pazare mund vetëm ta zgjasin agonin e keq qeverisjes në Kosovë ( për çka si duket është formuar ky koalicion), por nuk zgjidhin asnjë problem evident i qytetarëve tanë.

Ju, krerët e institucioneve te Kosovës, si dhe vartësit e juaj, duhet ta ushtroni e edukoni mënyrën e komunikimit me qytetarët, pasi ju keni obligime për kualitetin e jetës së tyre. Ata e kanë edhe të drejtën që të janë edhe “shigjetarë të lirë”! Juve u mungon ky komoditet!"
Shtuar më 10/01/2015, ora 17:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori