KQZ vendos për rinumërimin e 117 kutive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin edhe të 117 kutive të votimit, sipas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

PZAP ka kërkuar që të bëhet rinumërimi i pjesshëm i kutive të votimit sa i përket votave të kandidatëve të subjekteve politike përkatëse, të cilët kanë parashtruar ankesat e tyre.

Anëtari i KQZ-së Betim Gjoshi kërkoi që rinumërimi të bëhet për gjithë kandidatët e jo vetëm një kandidati sikurse ka vendosur PZAP, sepse teknikisht është e pamundur të bëhet rinumërimi vetëm për një kandidat.

“Unë çka desha të theksoj se këto vendime njëri ka të bëjë me anulimin e 77 fletëvotimeve me kusht dhe pjesa tjetër e rinumërimeve ka të bëjë me rinumërimin e 117 kutive, pjesërisht do të thotë prapë janë vendime. Janë disa raste, ndoshta janë gabim terminologjie në vend se të thuhet kandidatët e një subjekti, thuhet kandidatin e subjektit. Unë mendoj që kur është rasti njëjës është e pamundur për shkak të procedurave sepse mund të kemi mospërputhje. Unë mendoj se kur ka vendim për rinumërim të një kandidati, të numërohen votat e gjithë kandidatëve se përndryshe deh teknikisht edhe proceduralisht është e pamundur”, tha Gjoshi.

Anëtari tjetër i KQZ-së Adnan Rrustemi e ka quajtur të panevojshme këto vonesa në certifikimin e rezultateve.

Rrustemi tha se aspekti i numërimit dhe rinumërimit është problem shqetësues për procesi n zgjedhor.

“E mira e kësaj pune është se do të kemi rinumërim të pjesshëm vetëm për votat e kandidatëve të subjektit politik në fjalë për secilin vendvotim që kjo të paktën do ta lehtësojë procesin e rinumërimit që sa më shpejt brenda kësaj situate që u bë kështu në kuptimin edhe publik e padurueshme të vonimit të shpalljes së rezultateve dhe çertifikimin e rezultateve përfundimtare. Megjithatë ky aspekti i numërimit dhe rinumërimit të kutive që njerëzit si rezultat qoftë i gabimeve të paqëllimshme, qoftë i ndërhyrjeve të qëllimshme në vendvotim, është një problem shqetësues i procesit zgjedhor. Nuk mund të tolerojmë të na përsëriten në vazhdimësi 400 deri në 500 kuti të rinumëruara, diku për shkak të trajtimit të dobët, diku për shkak të lodhjes së komisionarëve, diku për shkak të ndërhyrjeve. KQZ duhet ta ketë prioritet këtë, duhet të nxjerr mësime”, theksoi ai. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2017, ora 17:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori